Betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Vuçiq e telefonon Lajçakun, i ankohet në kryeministrin Kurti
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka biseduar sot me ndërmjetësin evropian në dialog, Miroslav Lajçak për t’u ankuar në kryeministrin Kurti rreth zhvillimeve në veri, ku kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, bëri sot betimin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Petkoviq u tha gazetarëve në Qeverinë e Serbisë se Vuçiq e paralajmëroi Lajçakun për sjelljen e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe “pasojat e incidenteve dhe provokimeve” që siç tha Petkoviq “mund të kthehen në krizën më të madhe deri tani”.
“Vuçiq i tha Lajçakut se Albin Kurti dëshiron t’i dëbojë serbët nga Kosova dhe se ata ndoshta duan të provokojnë luftë”, tha Petkoviq.
Sipas tij, “pushtimi” i veriut të Kosovës filloi me betimin e Erden Atiqit për kryetar të Mitrovicës së Veriut, derisa flamurin e Kosovës të vendosur në ndërtesën e Komunës e quajti “leckë”.
“Simbol i atij pushtimi është edhe ai lecka që e kanë varur në ndërtesën e komunës, për ne nuk është flamur, i cili do të qëndrojë aty sa të zgjasë pushtimi, do të thotë jo shumë, ky pushtim do të përfundojë kur të vendosin serbët.se pushtimi ka mbaruar”, tha ai.
Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Eden Atiq pas betimit ka thënë se do të punojë për të gjithë qytetarët e kësaj komune, me qëllim të lehtësimit të jetës së tyre.
Atiq i ka ftuar qytetarët për bashkëpunim, teksa ka thënë se ka prapa vetes një ekipë shpresëdhënëse. /Reporteri.net/