RajoniTop Lajme

Kurti dhe Konjufca: Përkujtojmë sot 160 të burgosurit e vrarë në masakrën në burgun e Dubravës!

Shpërndaje

Përkujtojmë sot 160 të burgosurit e vrarë në masakrën në burgun e Dubravës!
Fjala ime e plotë në këtë 24 vjetor:
I nderuari kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,
I nderuari Enver Dugolli, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
I nderuari Nait Hasani, ish i burgosur politik, ish-deputet dhe ambasador,
Të nderuar Bujar Dugolli, Andin Hoti, Bajrush Xhemajli, Bislim Zogaj, Gjenerali Kudusi Lame,
Të nderuar deputetë e zëvendësministra,
Të nderuar ish të burgosur,
Të dashur familjarë të të vrarëve, dëshmorëve dhe të të mbijetuarve të masakrës së Dubravës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Në çdo datë historike sikur sot kur përkujtohen ngjarje të rëndësishme nga e kaluara, përtej të dhënave faktografike, na shtrohet përpara edhe një problem jo i thjeshtë: si duhet lexuar gjithë këto histori masakrash, luftërash, burgosjesh, dëbimesh dhe betejash politike? Çfarë e ushqen dhe e kultivon vetëdijen kolektive të një kombi, që për vite e vite ndër shekuj, përpiqet pa pushim ta arrijë lirinë?! Apo e artikuluar edhe pak më ndryshe: si mund të përkufizohet ndërgjegja historike e popullit shqiptar?
Një nga mënyrat për ta kuptuar historinë politike të shqiptarëve gjatë periudhës së Jugosllavisë, është duke gjurmuar për fatin e gjeneratave dhe grupeve të të burgosurve politikë si dhe duke lexuar për burgosjet e tyre sipas rendit kronologjik. Gjatë kësaj periudhe të gjatë mbi gjysmë shekulli, pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët në Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar politikisht në Evropë, të burgosurit politikë dhanë dy ideologë të mëdhenj politikë, një në fillim dhe një në fund të asaj Jugosllavie. Besoj se e merrni me mend për kë e kam fjalën. Për Adem Demaçin që vuajti 28 vite burgosje nga fundi i viteve ’50-të deri më 1990 dhe për Ukshin Hotin që kaloi nëpër burgje nga viti 1981 deri më 1999, kur dhe u zhduk po në burgun e Dubravës këtu më 16 maj 1999, fare pak ditë para masakrës që po e përkujtojmë sot dhe vetëm një ditë para se të përfundonte burgosja e tij më 17 maj e dënimit të tretë me 5 vjet burg.
Fati i tyre personal është gdhendur aq fort nga fati politik i shqiptarëve të asaj kohe, sa që autobiografitë dhe biografitë e tyre, mund të lexohen edhe si vetë historia politike e shqiptarëve në Jugosllavi. Veprat “Libri i vet-mohimit” dhe “Dashuria kuantike e filanit” të shkruara nga Adem Demaçi, apo “Filozofia politike e çështjes shqiptare” dhe “Bisedë përmes hekurash” të Ukshin Hotit, janë dy burime referenciale themelore për të kuptuar jetën e shqiptarëve nën regjimet shtypëse diktatoriale dhe fashiste të Jugosllavisë në përgjithësi dhe të Serbisë veçanërisht.
Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, që përgjithësisht përfaqësonin aktivizmin e kulluar politik kombëtar të kohës, ishin si një kategori më vete, që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej. Sepse ishte vetë fryma dhe puna e tyre e trashëguar dhe e përcjellur nga një grup te tjetri, nga njëra organizatë ilegale te tjetra, ajo që prodhoi organizimin politik dhe ushtarak që e solli çlirimin e Kosovës. Andaj edhe në luftën e fundit, shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 980 të burgosur politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet, duke i sjellur në burgun e Dubravës, për t’i eliminuar.
Ky plan dhe kjo “zgjidhje përfundimtare” e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfejnë edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë.
Si u organizua vrasja masive dhe masakrimi i të burgosurve shqiptarë nga autoritetet e burgut të Dubravës, nga policia e Serbisë si dhe nga të burgosurit ordinerë të mobilizuar prej tyre? Të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës nganjëherë deri në detaje ditë pas dite e orë pas ore, bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, për të cilin ende nuk janë nxjerrur para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve. E ka rrëfyer Enver Dugolli te libri i tij “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, Nait Hasani te vepra “Ende jam gjallë”, siç e kanë rrëfyer edhe dhjetëra të mbijetuar të tjerë për Ukë Thaçin te libri i tij për skenarët e masakrës në burgun e Dubravës, ashtu sikur së fundi edhe Asllan Selimi te libri i sapobotuar “Tmerri ka emër”.
Ndërsa, vetë unë, i kam dëgjuar këto ngjarje mizore qysh atëherë, pak kohë pas masakrës së burgut të Dubravës, nga po këta të mbijetuar të saj, me të cilët pastaj ishim shokë burgu në Nish, Pozharec e Çupri. I kam dëgjuar të rrëfyera nga Nait Hasani, nga Liburn Aliu, nga Bislim Zogaj nga Enver Dugolli, dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht, pa qenë i sigurt që 24 më pas, do të shkojmë bashkë në burgun e Dubravës kështu siç erdhëm sot, pikërisht për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë dhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb. Për më tepër që e tëra kjo, po ndodhë në rrethana krejt të tjera: me Kosovën Republikë, me shtetin tonë që po ngritet e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk falë asnjë krim të kryer gjatë luftës. Ardhja jonë sot këtu, është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgiminë e luftës së viteve 1997 – 1999 në Kosovë, për drejtësinë dhe para historisë.
Lavdi të gjithë të burgosurve të vrarë në masakrën në burgun e Dubravës dhe secilës jetë të dhënë në rrugën tonë të përbashkët për lirinë e Kosovës!

Në këtë 24-vjetor të Masakrës së Dubravës, bashkë me kryeministrin Kurti bëmë homazhe në nder të 117 të burgosurve të vrarë mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë.
Forcat serbe i urdhëruan të burgosurit në Burgun e Dubravës që të grumbulloheshin, me arsytimin se do t’i transferonin në një burg tjetër. Pak minuta më vonë filloi një nga masakrat më të paimagjinueshme ndaj të burgosurve shqiptarë. Policët serbë, në mesin e tyre edhe të burgosur serbë të liruar dhe të armatosur nga zyrtarët e burgut, filluan të qëllojnë me armë automatike dhe të hedhin granata dore mbi trupat e ekspozuar të 980 të burgosurve, shumica prej tyre pengje lufte dhe të burgosur politik.
Për disa ditë radhazi të atij maji të vitit 1999 ekzekutuesit serbë u futën brenda ambienteve të burgut duke qëlluar mbi këdo që gjenin, teksa të burgosurit përpiqeshin të ndihmonin të plagosurit dhe të gjenin një vend për t’u fshehur. Të mbijetuarit e kësaj masakre tregojnë se ato ditë jeta dhe vdekja qëndronin të zhveshura krejtësisht përballë fatit të kulluar, teksa dihej qartazi se ata po masakroheshin vetëm sepse ishin shqiptarë.
Numri i të plagosurve mes qindra të mbijetuarve në Masakrën e Dubravës e tejkalon atë të të vrarëve. Këta të mbijetuar janë që të gjithë dëshmitarë të ekzekutimit të organizuar në mënyrë shtetërore, brenda një burgu të shndërruar në kamp të shfarosjes në masë, nga aparati shtetëror gjenocidal i Serbisë.
Ky krim kundër njerëzimit, një nga aktet e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, akoma nuk është ndëshkuar dhe drejtësia për të vrarët e për të mbijetuarit akoma nuk është vendosur në vend.
Në këtë aktualitet politik ndërkombëtar të ndarë mes vendeve demokratike dhe vendeve që mbështesin aktivisht apo pasivisht spastrimin etnik, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin si mjet lufte, marrja përsipër e çështjes së Masakrës së Dubravës nga drejtësia ndërkombëtare nuk do të ishte vetëm drejtësi për viktimat, por do të ishte edhe konfirmim i qartësisë politike në sferën e vlerave të demokracisë dhe në rendin gjeopolitik.
Lavdi dhe drejtësi për të rënët e Masakrës së Dubravës!