Konjufca takoi senatorët amerikanë: Nuk mund të formohet mekanizëm që cenon sovranitetin

Shpërndaje

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk mund të formohet Asociacion, apo ndonjë mekanizëm tjetër, që cenon sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Këtë qëndrim ai e ka ndarë edhe me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

Në takimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, Konjufca ka theksuar se mbështetja e shteteve të bashkuara është qenësore për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës, mbështetur edhe në garancinë e Departamentit të Shtetit, se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës”, është bërë e ditur në komunikatën e Kuvendit.

Njoftimi i plotë:

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ka pritur sot në takim senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters, të shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Në takimin e ngrohtë dhe përmbajtësor u bisedua për zhvillimet politike në vend dhe rajon, integrimin në institucionet euro-atlantike dhe organizata e mekanizma ndërkombëtarë, si dhe për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryetari Konjufca vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, miqësinë e përhershme, partneritetin e palëkundur dhe aleancën strategjike mes shteteve dhe popujve tanë.

Ai theksoi se mbështetja e SHBA-së është qenësore për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës. Gjithashtu përsëriti qëndrimin e shtetit të Kosovës se nuk mund të formohet kurrfarë asociacioni apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetutës të Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit falënderoi senatorët Chris Murphy dhe Gary Peters për angazhimin e tyre personal në proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi ynë si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në çlirimin, shtetndërtimin dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Kryetari Konjufca dhe senatorët amerikanë konstatuan se marrëdhënia mes Kosovës dhe SHBA-së është speciale dhe shprehën përkushtimin për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.