Komandanti i FSK-së, GJLT Bashkim Jashari, merr pjesë në ceremoninë hapëse të “Defender Europe 2023” në Tiranë
Së bashku me shumë personalitete të lartë dhe me ftesë të homologut nga Republika e Shqipërisë, GJLT Bashkim Jashari morri pjesë në ceremoninë hapëse të “Defender Europe 2023” në Tiranë, Shqipëri. Gjatë ceremonisë KOMFSK pati mundësinë të takojë dhe bashkëbisedojë me autoritetet më të larta të Shqipërisë si dhe me shumë gjeneralë nga shtete partnere të NATO-s.
Vlen të theksohet që FSK është pjesë e Task-Forcës Jug që është e vendosur në Shqipëri dhe aty kontribuon me oficerë dhe nënoficerë stafi në organizimin dhe funksionimin e kësaj duke mbajtur postin edhe të Zëvendës-Komandantit të Brigadës. Gjithashtu, njësitë e Materialeve të Rrezikshme dhe Çështjeve Civile u janë bashkangjitur forcave shqiptare dhe forcave tjera në kuadër të Batalionit Shumëkombësh.
Përpos pjesëmarrjes në ceremoni, GJLT Jashari pati mundësi që të shohë nga afër edhe trupat e FSK-së të cilat janë pjesë e këtij ushtrimi në Republikën e Shqipërisë. KOMFSK iu uroi ushtarakëve tanë stërvitje të suksesshme dhe përkushtim sa më të lartë në prezantimin e FSK-së në këtë stërvitje të rëndësishme.
Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe 2023” drejtohet nga Ushtria Amerikane për Evropë dhe Afrikë dhe përpos Kosovës dhe Shqipërisë zhvillohet edhe në shumë shtete tjera në kontinentin e Evropës. FSK merr pjesë në këtë ushtrim me mbi 1300 trupa të shpërndara në katër shtete.