Maqedoni

Drejtësia e kapur nga familjarët e funksionarëve të BDI-së

Shpërndaje

Çdo shtet demokratik në të cilin mbizotërojnë vlerat e mirëfillta demokratike dhe ku respektohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, institucionet e pushtetit gjyqësor udhëhiqen nga njerëz me kapacitet profesional dhe integritet moral të cilët zgjedhen apo emërohen në bazë të principit të meritokracisë dhe aftësive të tyre profesionale. Fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ndodh në Republikën e Maqedonisë së Veriut ku ndarësit e drejtësisë, gjyqtarët, apo ndjekësit e veprave penale, prokurorët, zgjedhen apo emërohen mbi bazën e afërsisë së tyre familjare ose partiake me funksionar të partisë politike në pushtet BDI-së. Nga zhvillimet e fundit në kuadër të pushtetit gjyqësor, emërimin e djalit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, Barlet Xhaferi si prokuror në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar, si dhe emërimin e gruas të prokurorit publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit Islam Abazi, Albulena Abazi, si prokurore mundet të konkludojmë se pushteti gjyqësor vazhdon të ngelet i kapur nga subjekti politik BDI.

Gjatë gjithë kohës flasin për reforma në drejtësi, veting dhe gjyqësor të pavarur të cilat asesi të ndodhin, ndërkaq brenga e tyre e vetme është rehatimi i familjarëve të tyre në pozita të rëndësishme në organet e drejtësisë. Kjo dëshmon qartë për vizionin dhe misionin politik të BDI-së. Për këtë arsye vlerësojmë se asgjë nuk është e rastësishme, ashtu siç nuk është i rastësishëm edhe fakti se në anketat e institucioneve relevante ndërkombëtare besimi i qytetarëve tek pushteti gjyqësor është vetëm 3%, se në bazë të raporteve të Komisionit Europian Maqedonia e Veriut ka dështuar rëndë me reformën në drejtësi, e gjithë kjo sepse zyrtarë të lartë të BDI-së, në vend që t’i qasen me seriozitet reformave në drejtësi, ata vazhdojnë të ngulfatin sistemin gjyqësor, duke rehatuar të afërmit e tyre në organet e drejtësisë.

Nga ana tjetër theksojmë se integrimi i vendit në BE nuk arrihet dot vetëm me deklarime formale se ne jemi për Europë, por me qasje serioze ndaj reformave të nevojshme në çdo sferë të jetës, e veçanarisht në sistemin e drejtësisë. Në këtë drejtim derisa shtetet fqinje kanë ndëramarë veprime konkrete për të realizuar vetingun dhe reformën në drejtësi, gjegjësisht kanë krijuar kornizën ligjore për luftimin e korupsionit dhe realizimin e vetingut në organet e drejtësisë, funksionarët e BDI-së nuk mund të bëjmë asgjë më tepër sesa të rehatojnë të afërmit e tyre për të fshehur dhe për të mbuluar krimet dhe korrupsionin. Opinioni tashmë e ka të qartë se cili është qëllimi dhe vizioni politik i BDI-së, dhe se integrimin Europian e përdorin për të fshehur paaftësinë e tyre për të drejtuar shtetin.

Andaj si rrjedhojë e krimit dhe korupsionit 20 vjeçar të funksionarëve të BDI-së dhe frigës se shumë shpejtë do të ikin nga pushteti e skena politike, BDI-së nuk i ka ngelur gjë tjetër përveç pozicionimit të familjarëve të tyre në pozita të gjyqtarëve dhe prokurorëve publik me qëllim që të mbrojnë veten në momentet kur do të duhet të japin llogari për veprat penale të kryera gjatë këtyre viteve qeverisje.

Lëvizja BESA – Departamenti i Drejtësisë,
Shkup, 24.05.2023