Aliu: Digjitalizimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është prioriteti ynë kryesor
Ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës – Azir Aliu sot ishte i ftuar në ngjarjen me temë: ”Maqedonia e Veriut – sot dhe nesër” të organizuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) që sot u mbajt në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.
Ministri Aliu njoftoi për projektet dhe strategjitë më të reja të MSHIA-s dhe prioritetin kryesor – digjitalizimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve.
“Sa i takon transformimit digjital të shtetit, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës ka tre shtylla kryesore mbi të cilat ne administrojmë dhe ndërtojmë politika. Shtylla e parë është infrastruktura e IT-së, shtylla e dytë është administrata publike, ndërsa shtylla e tretë janë mediat. Në kontekst të infrastrukturës, duam ta përmirësojmë kualitetin e interoperabilitetit në shtet, përkatësisht, të bëhet ndërlidhja e institucioneve në mënyrë horizontale, me qëllim që komunikimi të jetë në kohë reale dhe i sigurt”, ka thënë Aliu.
Në aspekt të krijimit të shërbimeve digjitale, ai tha se punohet në mënyrë intensive, me qëllim që deri në fund të vitit të kemi 150 shërbime të digjitalizuara në shtetin tonë.
“E dini se nëpërmjet digjitalizimit e përmirësojmë kualitetin dhe optimizimin e shërbimeve dhe në këtë kontekst rezultati final është që qytetarët të kenë shërbime më të mira dhe më optimale”, shton ministri Aliu.
Më tej, ministri potencoi se nëpërmjet digjitalizimit të shërbimeve do të kemi reduktim të korrupsionit dhe të pritjeve në radhë të gjata para sporteleve.
“Transformimi digjital ose digjitalizimi i proceseve e redukton ose do ta eliminojë korrupsionin. Veçanërisht, do ta reduktojë në nivel më të ulët. Me qëllim që të arrini në ndonjë shërbim të caktuar, ju nevojitet shumë kohë, ose nëse ka mundësi për keqpërdorime, ndonjë administrator edhe do ta shfrytëzojë këtë. Nëpërmjet procesit të digjitalizimit e anashkaloni faktorin ‘administrator’ që mund t’ju mbajë për një kohë të gjatë për atë shërbim, ose do ta keqpërdorë këtë gjatë ofrimit të këtij shërbimi. Vetëm në këtë mënyrë, mund të optimizohet administrata publike, jo vetëm në mënyrë infrastrukturore, por edhe në kontekst të ofrimit të shërbimeve. Kur them ‘optimizim’, e kam fjalën për aspektin kohor, por edhe në lidhje me keqpërdorimin e detyrës zyrtare”, theksoi ministri Aliu.