Ende s’ka konfirmim zyrtar për takimin Kurti e Vuçiq
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, sipas të gjitha gjasave nuk do të takohen javën që vjen për ta menaxhuar krizën ashtu siç i ka ftuar kryediplomati evropian, Josep Borrell.
Asnjëri prej tyre zyrtarisht ende nuk i ka kthyer përgjigje atij, veçse Vuçiq ka thënë gjatë ditës se e konsideron të pakuptimtë të flasë me kryeministrin Kurti.
Njohës të çështjeve politike thonë se takimi i thirrur nga Borrell mund të ndikonte në shtensionimin e situatës në veri.
As Kosova e as Serbia nuk i kanë kthyer ende përgjigje zyrtare përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, rreth ftesës për takim gjatë javës së ardhshme.
Derisa kryeministri Kurti tha të shtunën se në ditët në vijim do të vendosë nëse do të marrë pjesë në takim, presidenti serb ka deklaruar se e konsideron të pakuptimtë që të flasë me të parin e ekzekutivit kosovar.
“Ende s’kam vendosur nëse do të marrë pjesë në një takim të tillë teknik, do të jetë vendim taktik i Serbisë” ka thënë Vuçiq.
Njohësja e çështjeve politike, Arta Tahiri – Beqa, thotë se takimi i thirrur nga Borrell mund të ndikojë në shtensionimin e situatës në veri.
Sipas njohësve të politikës, dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të vazhdojë edhe më tej.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë një ditë më parë se fillimisht BE-ja ka paraparë që takimi të mbahej më 22 qershor, pastaj është shtyrë për datën 23./RTK