Makina përfundoi në lumë pas aksidentit fatal në Maqedoni, pas rreth 30 orësh kërkime gjenden trupat e pajetë të familjes nga Kosova

Shpërndaje

Pas rreth 30 orë kërkimesh është arritur që të nxirret nga lumi makina me trupat e pajetë të familjes Pacolli nga Kosova.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku një veturë me targa të Republikës së Kosovës pas një aksidenti ka humbur drejtimin dhe ka përfunduar në lumin Lepenc në RMV.

Vetëm një 22-vjeçar arriti të dalë nga makina dhe ndodhet në spital për trajtim mjekësor. Ka qenë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që ka njoftuar se është nxjerrë nga lumi Lepenc vetura me trupat e pajetë të familjes Pacolli.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një komunikate në faqen zyrtare në Facebook.

“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intensive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxjerrja e veturës, me trupat e pajetë në të. Ambasada e Kosovës në Shkup shpreh ngushëllimet e saja të thella për këtë tragjedi. Shprehim falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast”, thuhet në njoftim.