MaqedoniTop Lajme

Flet Bujar Osmani: Ja cilat tre vendime i ka marë BDI lidhur me Ramiz Merkon!

Shpërndaje

BDI ka marrë tre vendime lidhur me informacionin se SHBA-ja e ka futur në listën e zezë kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, për shkak të dyshimeve për korrupsion të theksuar, ka thënë zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani.

“BDI kërkon që autoritetet të fillojnë menjëherë një hetim gjithëpërfshirës ndaj Ramiz Merkos për të gjitha pretendimet dhe informacionet që dalin nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. BDI pranon vendimin e Ramiz Merkos për ngrirjen e funksioneve partiake deri në përfundimin e hetimeve. BDI e pezullon aktivitetin zgjedhor në Strugë derisa të krijohen kushte të reja për organizimin e tyre”, tha Osmani.

Ai bëri thirrje që të hetohen të gjitha partitë politike dhe zyrtarët e tyre publikë e partiakë sepse, siç theksoi, vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet korrupsioni dhe keqpërdorimi i subjektit për qëllime politike.

Inkurajojmë SHBA-të që të vazhdojnë këtë aktivitet, shtoi Osmani.

Ai ritheksoi se BDI ka qëndrime të qarta për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, duke rikujtuar dy vendimet e Kryesisë Qendrore të partisë, për vetingun e detyrueshëm të çdo titullari të funksioneve partiake dhe publike, mundësisht me asistencë ndërkombëtare dhe për verifikimin urgjent institucional të gjitha dyshimeve të shprehura publikisht për zyrtarët partiakë dhe publikë të BDI-së.