Sulmi me granatë dore në objektin komunal të Mitrovicës së Veriut, MPB: Tentativë e Serbisë për të eskaluar situatën
Policia e Kosovës sot bëri të ditur se mbrëmë, në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, siç ka bërë të ditur Policia, por janë dëmtuar dy vetura zyrtare që ndodheshin në afërsi të objektit.
E Ministria e Brendshme në një reagim, ka dënuar këtë sulm duke e quajtur “sulm terrorist ndaj institucioneve të Kosovës.
Nga MPB thonë se këtë akte janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Kjo Ministri ka kërkuar që veprimet e tilla të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.
“Vazhdojnë sulmet terroriste ndaj institucioneve shtetërore.
Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve.
Sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë. Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në reagim.
Pamje: Njësitet Speciale në veri pas shpërthimit në objektin e komunës