Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese mund t’i lenë deputetët e RMV-së pa pushim vjetor

Shpërndaje

Edhe gjatë muajit korrik nuk do të mund të hyjnë në procedurë parlamentare ndryshimet kushtetuese, është kuptuar në brifingun me gazetarë që kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e realizoi sot me gazetarët.

Iniciativa për ndryshimet kushtetuese ende nuk është dorëzuar në Kuvend, gjegjësisht ende gjendet në procedurë qeveritare, por edhe sikur të dorëzohej gjatë këtyre ditëve, e njëjta nuk mund të hyjë në procedurë parlamentare menjëherë.

Për këtë, Xhaferi tha se është e mundur që deputetët të mos mund të shkojnë në pushim as gjatë muajit gusht, nëse në atë muaj fillon procedura për ndryshimin e aktit më të lartë ligjor.

“Edhe sikur të dorëzohet iniciativa në Kuvend gjatë këtyre ditëve, sipas procedurave për ndryshimin e Kushtetutës nga dita e dorëzimit deri te fillimi i procedurës, duhet të kalojnë 30 ditë. Kjo do të thotë se ka mundësi që të punojmë në gusht, edhe pse ky muaj është paraparë për pushim”, tha Xhaferi.