RajoniTop Lajme

Kurti – Lajçakut: Masat ndëshkuese të BE-së janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka theksuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik, në një takim që kanë pasur të martën në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për shtensionim dhe normalizim të situatës në veri.

“Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon assesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me rrugën përpara, Kurti, sipas njoftimit, ka deklaruar se neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.

“Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet”, vijon njoftimi.

BE-ja konfirmoi javën e shkuar sanksionet ndaj Kosovës për mosndërmarrje të hapave për shtensionim në veri.

Ndonëse në BE nuk përdoret termi sanksione, masat janë sanksione në kuptimin e plotë të fjalës, ngase me to suspendohen takimet e komisioneve të përbashkëta, suspendohen programet e IPA-s e pezullohen edhe hapat për shqyrtimin e projekteve që ka dorëzuar Kosova për financim nga Korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor.