Zakharieva: Maqedonia nuk dëshiron të anëtarësohet në BE

Shpërndaje

Ish-ministrja e Jashtme bullgare dhe deputete aktuale, Ekaterina Zakharieva kritikoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut pasi MPB-ja filloi hetime kundër menaxhmentit të “Bitolski Montmartre” që i çoi fëmijët nga Manastiri në Bullgari për takime me presidentin aktual bullgar Rumen Radev dhe politikanë të tjerë bullgarë.

“Qeveria e RMV-së arriti një nivel të ri: Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski urdhëroi policinë të fillojë një hetim paraprak kundër një mësuesi, sepse ai i çoi fëmijët për të pikturuar në Bullgari, para Teatrit Kombëtar dhe në Plovdiv, dhe më pas vizitoi parlamentin bullgar dhe presidencën”, njoftoi Zakharieva.

Ajo shtoi se ishte e befasuar nga ky vendim.

“Nuk e di nëse kolegët e kuptojnë se si duket kjo, si të ndërmarrësh hapa të dëshpëruar për t’u bashkuar me një klub shumë të famshëm botëror. Jo, nuk bëhet fjalë për Bashkimin Europian, por për klubin me regjime totalitare. Në fakt, mbaj mend që një mësues për një akt të tillë mund të ndiqet nga policia vetëm në Rusi, Bjellorusi dhe Korenë e Veriut”, ka shkruar Zakharieva.

Ajo thekson se të gjithë menduam se në Ballkan e kishim mbyllur këtë faqe të errët të historisë. Patetike, e trishtuar, e poshtër dhe absurde.