RajoniTop Lajme

Dalin pamjet/ Serbët, kontrabandë armësh me ambulancë nga Serbia në Veri të Kosovës

Shpërndaje

Ditën e sotme janë ngritur pretendime se një ambulancë e mbushur me armë ka shkuar nga Serbia në veri të Kosovës. Lajmi është raportuar nga media “GeoPost”, e cila mbulon Ballkanin Perëndimor.

“GeoPost” ka publikuar një video dhe ka hedhur dyshime se serbët kanë kontrabanduar armë me ambulancë. Sipas saj, armët janë kontrabanduar nga serbi i arrestuar nga Policia e Kosovës, Milun “Lune” Milenkoviq, drejtues i “Mbrojtja Civile”.

“Anëtarë të “Civilna Zastista [Mbrojtja Civile], të udhëhequr nga i arrestuari, i njohur si LUNE, në Mitrovicën e Veriut, komunikojnë në rrugë me ambulancën, e cila po mbante armë më 6 dhjetor 2022, kur u sulmuan zyrat e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në qytet”, thuhet në video.

Ndërkohë, videoja konfirmon akuzat e ngritura nga deputetja e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, e cila ka deklaruar se Qeveria britanike është informuar nga KFOR-i se në veri të Kosovës kontrabandohen armë që vijnë nga Serbia, dhe sipas saj, ato ruhen në kishat ortodokse serbe.

“Kjo është arsyeja pse fotografia e sigurisë është kaq e rëndë. Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i ndalim milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, me Fusilierët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, lejet zgjasin shumë. Deri në momentin që ka leje – të papritura – një ambulancë është paraqitur në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët”, ka deklaruar Kears.