BotaTop Lajme

Tentativa tradhtare për grusht shteti, 7 vjet nga rezistenca historike e popullit turk

Shpërndaje

Organizata terroriste Fetullahci (FETO) që nga themelimi i saj përdori të gjitha mjetet për të depërtuar në të gjitha institucionet e shtetit turk dhe më në fund tentoi të kryente një grusht shteti natën e 15 korrikut 2016, kur të gjitha aktivitetet e paligjshme dhe tradhtare u deshifruan dhe u zbuluan, të cilat u kryen nën maskën e të ashtuquajturit “xhemat”, shkruan Anadolu.

Pikërisht shtatë vjet më parë, terroristët e FETO-s morën armët në një përpjekje të pabesë për të rrëzuar qeverinë e zgjedhur ligjërisht të Türkiye-s.

Fitorja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet me 49 për qind të votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme të 1 nëntorit 2015, shkaktoi panik të madh në radhët e FETO-s.

Duke ditur se qeveria e rikthyer në pushtet, me vendimet e Këshillit të Lartë Ushtarak (YAS), do të shkarkonte nga ushtria pjesëtarët e infiltruar të FETO-s, organizata terroriste u trondit nga vendimi i atëhershëm i Kryeprokurorit Publik në Izmir me urdhrin për ndalimin e ushtarëve të tillë, përfshirë gjeneralët.

Pas konspiracioneve të shumta si rasti i përgjimeve masive të zyrtarëve të lartë, kërkesa për marrjen në pyetje të kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar (MIT) Hakan Fidan, ndalimi i kamionit të MIT-it në jug të Türkiye-s, FETO kuptoi se nuk mund të detyronte më Qeverinë e Türkiye-s të bënte një hap prapa, kështu që vendosi të kryente grusht shteti si mjetin e fundit.

– Urdhri për tradhti ka ardhur nga kreu i FETO-s

Udhëheqësi i organizatës terroriste FETO, Fetullah Gülen, doli para kamerave më 19 mars 2016 dhe dërgoi mesazhe që më vonë do të konstatohej se u ishin drejtuar atyre që organizuan tentativën për grusht shteti ushtarak.

Përkatësisht, ai tha se po fliste “në emër të banorëve të Kapadokya-s”, dhe hetimet konstatuan se ky kod u referohej ushtarëve që kryen tentativën për grusht shteti ushtarak më 15 korrik.

Sipas këtij udhëzimi të udhëheqësit terrorist, anëtarët e degëve civile dhe ushtarake të FETO-s përfunduan përgatitjet për grushtin e shtetit në të gjithë Türkiye-n dhe filluan të prisnin orën e ekzekutimit, e cila duhej të ishte ora 03:00 e datës 16 korrik 2016.

Megjithatë, disa orë para tentativës për tradhti, një pilot major helikopteri shkoi në Drejtorinë e Organizatës Kombëtare të Inteligjencës (MIT) dhe njoftoi se pjesëtarët e FETO-s po planifikonin të ndalonin kreun e MIT-it, Hakan Fidan.

Kreu i MIT-it në atë kohë, sot ministër i Jashtëm, Fidan, ia ka përcjellë këtë informacion shefit të dytë të Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë, gjeneralit Yasar Guler dhe më pas dërgoi ndihmësin e tij në Shtabin e Përgjithshëm për të përcjellë detajet.

Pas bisedës me zyrtarin e MIT-it, gjenerali Guler i ka përcjellë përmbajtjen e takimit edhe shefit të atëhershëm të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Hulusi Akar. Më pas gjenerali Akar urdhëroi Qendrën Operacionale të Forcave të Armatosura Turke të kthejë avionin në baza dhe të mbyllë hapësirën ajrore për fluturimet.

Përveç kësaj, Akar urdhëroi komandantin e Korpusit të 4-të, gjenerallejtënant Metin Gurak, të parandalonte vendosjen e mjeteve të blinduara nga Komanda dhe Divizioni i Trajnimit të Blinduar të Etimesgut dhe dërgoi komandantin e atëhershëm të ushtrisë tokësore, gjeneralin Salih Zeki Çolak, në Aviacionin Tokësor për të parandaluar fluturimet me helikopterë.

– Puçistët kapën gjeneralin Akar

Në të njëjtën kohë, ish-shefi i shtabit gjeneral Guler, nënkoloneli Bunyamin Tuner, i përcolli ish-shefit të Departamentit të Planifikimit dhe Menaxhimit të Personelit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Mehmet Partigoc, se kreu i MIT-it, Fidan ka biseduar me gjeneralin Akar.

Në mesin e puçistëve filloi të qarkullonte informacioni se Çolak kishte shkuar në Komandën e Aviacionit Tokësor pas takimit mes Akar dhe Fidan. Më pas përpjekja për grusht shteti, e cila ishte planifikuar të fillonte në orën 03:00 të 16 korrikut, u zhvendos në 20:30 të 15 korrikut me miratimin e Adil Oksuz dhe liderëve të tjerë civilë të FETO-s që do të udhëheqin grushtin e shtetit në bazën ajrore Akinci.

Ish-shefi i Departamentit të Strategjisë së Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Mehmet Disli, shefi i këshilltarit të shefit të shtabit të përgjithshëm, kolonel Orhan Yikilkan, gjeneral brigade Mehmet Partigoc dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Ramazan Gozel, u mblodhën për të organizuar tentativën për grusht shteti në Shtabin e Përgjithshëm.

“Komandant, operacioni po fillon, ne do t’i udhëheqim të gjithë, batalionet dhe brigadat janë në rrugë, do ta shihni shpejt”, ishin fjalët që Disli i tha Akar-it dhe kështu shpalli grushtin e shtetit.

“Për çfarë po flet? Për çfarë operacioni? Mos jeni maniak? “Mos guxo”, iu përgjigj Akar fjalëve të Disli-t.

Duke kuptuar se nuk mund ta bindte Akar-in, Disli urdhëroi ekipin që priste jashtë zyrës të intervenonte.

Gozel, Yikilkan, ish-nënkoloneli Levent Turkkan, ish-kapiteni Serdar Tekin dhe ish rreshter-majori Abdullah Erdogan kapën gjeneralin Akar.

– Njoftimi për tradhti u dërgua në Shtab

Me udhëzimet e puçistëve në seli, komandanti i Brigadës së 58-të të Artilerisë, ish-gjeneral brigade Murat Aygun, i vendosur në Polatli, urdhëroi që automjetet, përfshirë raketahedhës, të vendoseshin nga kazermat për të marrë kontrollin e pikave kritike në Ankara.

Njoftimi i parë për tentativën për tradhti, i titulluar si “Alarmi përgatitor dhe dislokimi i njësisë”, u dërgua përmes Sistemit të Shpërndarjes së Mesazheve dhe Dokumenteve të Shtabit të Përgjithshëm (MEDAS).

Puçistët u dorëzuan trupave të ashtuquajturën “Lista e detyrave dhe emërimeve ushtarake” përmes MEDAS.

Pas këtij mesazhi, puçistët lëshuan një urdhër të dytë me të njëjtin sistem për “Futjen e mjeteve të blinduara luftarake” për të pushtuar rrugët dhe kryqëzimet kritike në qytete dhe institucione publike.

Puçistët, duke dërguar mesazhe njëri pas tjetrit nëpërmjet MEDAS-it, urdhëruan ushtarët jashtë kazermës që të bashkoheshin me trupat e tyre në orën 21:53.

Duke vepruar mbi këtë, puçistët morën Qendrën e Koordinimit të Fatkeqësive (AKOM) në Kagithane të Istanbulit.

Bulent Aydin, truproja e komandantit të ushtrisë tokësore Çolak, u vra nga puçistët në Shtabin e Përgjithshëm dhe njihet si dëshmori i parë i 15 korrikut.

– Bllokada e urave

Avionët luftarakë F-16 u ngritën nga baza ajrore Akinci dhe filluan të fluturojnë jashtëzakonisht poshtë mbi Ankara. Kanalet e lajmeve raportuan për aktivitetet ushtarake në orën 22:28.

Televizionet njoftuan se ushtarët bllokuan urat e Istanbulit mbi Bosfor, përkatësisht urën e Bogazic-it dhe urën “Fatih Sulltan Mehmet”. Kryeministri i atëhershëm i Türkiye-s, Binali Yildirim, ka telefonuar në programin NTV në orën 23.02.

“Qeveria që përfaqëson kombin është në detyrë. Ata që bënë këtë përpjekje, ata që bënë këtë çmenduri, ata që u përfshinë në këtë akt të paligjshëm do të paguajnë çmimin më të lartë”, tha Yildirim.

Prokuroria kryesore publike në Ankara nisi një hetim për tentativën për grusht shteti më 23.05.

– Pilotët e grushtit të shtetit bombarduan qytetet

Pilotët e grushtit të shtetit Mehmet Cetin Kaplan dhe Ertan Koral bombarduan Departamentin e Aviacionit të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë në Golbasi. Në sulm u vranë shtatë policë ndërsa pesë policë u plagosën.

Në orën 00:01, ish-pilotët, kapitenët Ugur Uzunoglu dhe Huseyin Turk sulmuan Departamentin e Veprimeve Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë në Golbasi. Një civil dhe 43 policë u vranë ndërsa 36 policë u plagosën.

Helikopterët e kontrolluar nga puçistët skanuan kompleksin e MIT-it në Yenimahalle. Ish-nënkoloneli Umit Gencer mori TRT-në dhe lexoi shpalljen e grushtit të shtetit.

– Deklarata që ndryshoi rrjedhën e natës

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan u shfaq në programin CNN Turk në orën 00:24 dhe mbajti një fjalim historik që ndryshoi rrjedhën e tentativës për grusht shtet.

“Ftoj kombin tonë në sheshe”, tha Erdoğan.

Nga të shtënat me armë ndaj qytetarëve që protestuan kundër puçistëve para selisë së Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, mbetën të vrarë nëntë persona dhe dhjetëra të plagosur.

Pilotët e grushtit të shtetit Mehmet Yurdakul dhe Ilhami Aygul bombarduan Drejtorinë e Sigurisë në Ankara në orën 00:56. Dhjetë minuta më vonë, ish-piloti Mustafa Ozkan bombardoi vendin për herë të dytë. Në sulm, dy persona humbën jetën dhe 39 u plagosën.

– Halisdemir qëlloi gjeneralin e grushtit të shtetit

Avioni i gjeneral brigade puçist, Semih Terzi, i cili u ngrit me forcat speciale nga Diyarbakiri, u ul në aeroportin Etimesgut në orën 01.13.

Komandanti i forcave speciale në atë kohë, gjenerallejtënant Zekai Aksakalli, arriti të marrë në telefon komandantin Omer Halisdemir dhe i kërkoi atij të neutralizonte gjeneralin puçist Terzi.

Terzi, i cili me ushtarët nën komandën e tij erdhi në komandën e regjimentit të aviacionit special Etimesgut, shkoi me helikopter në selinë në Golbası për të marrë komandën e skuadrës speciale të OKK-së në orën 02:14.

Në hyrje të selisë e ka pritur Halisdemir dhe e ka qëlluar, i cili ka fituar epitetin e heroit të kombit turk. Halisdemir u vra në zjarrin e hapur nga Terzi dhe disa nga ushtarët që erdhën me të nga Diyarbakiri.

– Bombardimi i Kuvendit të Madh Kombëtar

Janë vrarë 36 qytetarë që protestuan kundër tentativës për grusht shteti para Shtabit të Përgjithshëm. Puçistët i tërhoqën zvarrë trupat e disa dëshmorëve nëpër tokë dhe i lanë para selisë.

Puçistët, të cilët u përpoqën me të gjitha mjetet të thyenin rezistencën e qytetarëve, bombarduan edhe ndërtesën e Kuvendit të Madh Kombëtar të Republikës së Türkiye-s.

Sulmi F-16 u krye nga ish-pilotët Hasan Husnu Balikci dhe Ugur Uzunaoglu dhe 32 persona u plagosën në sulm. Qytetarët çliruan selinë e TRT në orën 03:00. Ajo shtëpi mediatike iu kthye transmetimit normal, ndërsa puçistët u dorëzuan në polici.

Piloti i grushtit të shtetit Huseyin Turk hodhi katër bomba në objektet e TURKSAT në periudhën 03:14-03:19 për të ndërprerë transmetimin televiziv. Me kalimin e orëve, njerëzit që mbushën sheshet dhe rrugët me ftesë të presidentit Erdogan, shkaktuan gjithnjë e më shumë panik në radhët e puçistëve.

Menjëherë pasi ekipet e operacioneve speciale të policisë çliruan Kullën e kontrollit nga puçistët, avioni ATA me presidentin Erdoğan u ul në aeroportin Ataturk në Istanbul, ku u prit nga mijëra qytetarë.

Pas zhvillimeve në Istanbul, puçistët bombarduan sërish ndërtesën e parlamentit turk. Ish-piloti kapiten Huseyin Turk ka vënë në shënjestër parlamentin me avionin e tij F-16 në orën 03:24 dhe 03:25.

Në mes të luftës që u zhvillua kundër puçistëve nga qytetarët në rrugë dhe ushtarët patriotë në kazerma, në orën 04:00, Prokuroria kryesore Publike në Ankara nxori një vendim për ndalimin e anëtarëve të gjyqësorit të lidhur me FETO-n, anëtarë të të ashtuquajturit Këshilli për Paqen në Atdhe dhe pjesëmarrës në tentativën për grusht shtet.

– Fundi i rrugës drejt komplotit për grusht shteti dukej në horizont

Në orën 06:19, ish-piloti, toger Muslim Macit hodhi dy bomba në kryqëzimin përballë kompleksit presidencial në Ankara. Në sulm mbetën të vrarë 15 qytetarë dhe u plagosën shtatë të tjerë.

Shefi i departamentit të TEM, Turgut Aslan dhe truproja e tij Hasan Gulhan, të cilët u ndaluan në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, u nxorën nga ndërtesa me duar të lidhura dhe sy të lidhur dhe ish-koloneli puçist Erkan Okrem i qëlloi në kokë.

Aslan u plagos rëndë ndërsa Gulhan u vra.

Kryeministri Yıldırım autorizoi gjeneral-lejtnant Ziya Kemal Kadioglu të rrëzonte avionët që fluturonin nën kontrollin e puçistëve. Duke kuptuar se përpjekja për të përmbysur qeverinë legjitime në Türkiye kishte dështuar, puçistët në urën Bogazic në Istanbul u dorëzuan para forcave turke.

Në orën 08:26, shefi i Shtabit të Përgjithshëm Akar, i cili mbahej rob nga puçistët, u transferua me helikopter nga baza ajrore Akinci në Pallatin Çankaja. Me urdhër të presidentit Erdoğan dhe ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Isik, pista kryesore e bazës ajrore Akinci u vu në shënjestër për të penguar veprimet e mëtejshme të avionit në duart e puçistëve.

Në orën 12:57, kryeministri Yıldırım iu drejtua publikut dhe tha se përpjekja për grusht shteti ishte shtypur. Në konferencën për media ishin të pranishëm ministri Isik dhe gjenerali Akar.

Përpjekja e pabesë për grusht shteti në Türkiye u pengua dhe u parandalua nën udhëheqjen e presidentit Erdoğan, falë përpjekjeve të kombit dhe forcave patriotike të sigurisë së vendit. Populli turk, i cili tregoi një shembull të rrallë në historinë e rezistencës ndaj puçistëve, në atë natë të errët u kujdes për pavarësinë dhe të ardhmen e vendit të tij.

Hetimi zbuloi se rreth 9.000 personel ushtarakë, 35 avionë, 37 helikopterë, 246 automjete të blinduara, përfshirë 74 tanke dhe rreth 4.000 copë armë të lehta u përdorën në përpjekjen për grusht shteti. Nga civilët, policët dhe ushtarët që luftuan në atë natë të errët për të nxjerrë në dritë Türkiye-n, 251 persona ranë dëshmorë, përfshirë 150 në Ankara, 99 në Stamboll dhe dy në Mugla.

– FETO si rrezik për të gjitha vendet në të cilat vepron

Organizata terroriste Fetullahci (FETO) është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016. Bëhet fjalë për organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jeton në SHBA, ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.

Për vite me radhë, anëtarët e asaj organizate terroriste avancuan në shërbim duke manipuluar provimet, duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiye-s u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të rangut të lartë me një gjyq të montuar për korrupsion të dyshuar.

Disa vite më vonë, pasoi një tentativë e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, pra një përpjekje për grusht shteti të kryer nga oficerët që FETO kishte depërtuar në ushtrinë turke.

Hetimi për organizatën terroriste FETO tregoi se është një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Türkiye-n, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, 251 persona humbën jetën ndërsa 2.734 u plagosën.