Regjistruan veturat me targa të Kosovës, dy serbëve u digjen vetura dhe depoja (Foto)

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se një oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale. Të njëjtat, i kanë djegur veturën pasi oficeri në fjalë e kishte regjistruar me targa legale të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se ky nuk ishte rasti i vetëm përgjatë ditës së sotme.

“Njëjtë, sot në orët e hershme të mëngjesit është djegur depo e qytetarit serb në fshatin Grabovc të Komunës së Zveçanit pasi e kishte regjistruar veturën e djalit të tij. Të dyja rastet janë ftesë e hapur për të luftuar institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sveçla.