Escobar: Marrëveshja e Ohrit, mundësi që SHBA të nisë fushatë globale për njohjen e Kosovës
Gabriel Escobar, emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, ka raportuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve.
Ai ka trajtuar edhe çështjen e marrëveshjes së Ohrit, duke thënë se Kosovës do t’i hapte perspektivë të re për njohje globale dhe SHBA-ja do të ishte angazhuar për këtë.
Mirëpo, sipas tij, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një obligim ndërkombëtar të cilin e ka.
Escobar ka parë shumë mundësi te marrëveshja e Ohrit, duke përfshirë edhe një varg njohjesh nga Serbia për Kosovën duke përfsahirë edhe sovranitetin e Kosovës e simbolet.
“Kjo është një nga arsyet pse Marrëveshja e Ohrit na ofron mundësinë më të madhe në 15 vjet për t’u partnerizuar me Qeverinë e Kosovës për të filluar jo vetëm një fushatë njohjeje rajonale apo evropiane, por një fushatë njohjeje globale”, ka thënë ai.
“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka deklaruar Escobar.
Escobar ka folur edhe për çështjen e Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë e Bosje dhe Hercegovinës.