RajoniTop Lajme

Takohen dy ministrat e punëve të brendshme, Balla dhe Sveçla, në qendër të diskutimeve vonesat në kufi

Shpërndaje

Në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë gjatë ditëve të fundit në drejtimin Shqipëri-Kosovë ka patur radhë të gjata të mërgimtarëve që kthehen me pushime. Këto radhë krijohen sepse makinat me targa të huaja me përjashtim të mjeteve me targa të Shqipërisë duhet të paguajnë siguracion për të hyrë në Kosovë.

Bazuar në vendimin e Ministrisë së Financave të Kosovës, është e nevojshme regjistrimi, për të përfituar rimbursimin e siguracionit.

Nga ana tjetër shoqatat e siguracioneve deklarojnë të dhëna, që janë të dyshimta. Por ky vendim ka krijuar radhë në kufi. Për të zgjidhur shpejt problematikën, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla i ka kërkuar prej javës së kaluar homologut Sveçla, të lehtësohet kthimi i mërgimtarëve kosovarë me makinat e tyre në këtë sezon pushimesh në atdhe. Gjatë takimit, Balla ka kërkuar t’u lehtësohet në maksimum rruga këtyre qytetarëve për në atdhe, e jo t’u vështirësohet.

Komunikimi me gazetarët i dy ministrave të Brendshëm:

Pyetje: Cili është qëllimi i këtij takimi, ndërkohë që ka një fluks të tepruar të hyrje daljeve në kufi, sidomos nga ana e Kosovës?

Ministri Balla: Unë nuk e quaj të tepruar, është një gjë e mirë që ka një shkëmbim shumë të madh në të dy anët e kufirit, mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Arsyeja e këtij takimi është një kërkesa e imja, gjatë fundjavës së kaluar në kontakt me Ministrin Sveçla, të cilin mos u habisni unë do të takohem shumë shpesh, sepse kemi shumë marrëveshje të firmosura tashmë të cilat duhet të zbatohen.

Por konkretisht ka një rritje të numrit të mërgimtarëve e jo vetëm, edhe udhëtarëve të tjerë nga vende të ndryshme, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Republikën e Kosovës, e për shkak se për të gjitha targat me përjashtim të targave të Shqipërisë do të duhet të pajisën me siguracion, kjo merr një kohë të caktuar, kemi bërë një përllogaritje me ekspertët dhe drejtuesit.

Shqetësimi im është që sa kohë që mërgimtarët bëjnë me orë të tëra udhëtim nga gjithë Europa e jo vetëm për t’u kthyer, të gjejmë të gjitha mundësitë që gjatë kthimit të tyre në Kosovë përmes Pikës së Kalimit të Morinës, koha të jetë shumë e shkurtër. Ose të gjejmë modalitetet sesi t’i japim një zgjidhje që pajisjen me siguracion, mos ta bëjnë më në pikën e kalimit kufitar, por, një propozim ka qenë, ta bëjnë brenda një kohe të caktuar, sapo hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ose brenda një distance të caktuar. Në shumë vende p.sh., ka një model që brenda një distance, 50-100 km, ke kohën ose mundësinë për t’u pajisur me këtë siguracion. Mendoj që një prej arsyeve të këtij niveli të lartë të këtij trafiku është pikërisht kjo.

Megjithatë unë kam shumë besim që Ministri, kolegu im Sveçla, do të gjejë një zgjidhje. Kjo edhe në komunikim me Ministrinë e Financave, sepse ju e dini që nuk bëhet fjalë, pra nuk ka pengesë nga dy policitë tona. Por, këtu është fjala për një çështje do ta quaja administrative. E thashë, ky është shqetësimi për të cilin jemi takuar dhe unë kam shumë besim që do ta zgjidhim.

Pyetje: A pate ndonjë vërejtje, Kryeministri Edi Rama e ka anuluar mbledhjen, për ministrin Sveçla, cili është raporti pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive?

Ministri Balla: Mërgimtarët presin prej nesh të gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Unë mendoj që do ta gjejmë një zgjidhje për këtë çështje. Sa për çështjet e tjera kemi kohë të flasim dhe natyrshëm ajo që i takon dy ministrave, është të zbatojnë marrëveshjet për të cilat kryeministrat kanë firmosur. Faleminderit.

Ministri Sveçla: Me kënaqësi shfrytëzova rasti për të takuar Ministrin Balla, që, së pari, t’i uroj punë të mbarë e suksese në misionin e tij. Ne kemi shumë marrëveshje, të cilat janë të nënshkruara mes dy ministrive dhe po punojmë intensivisht që të gjitha ato marrëveshje të implementohen edhe në realitet.

E keni parë që si rezultat i marrëveshjes për kalim të lehtësuar në pikat kufitare, tashmë nuk kemi shtetas të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me targa të këtyre vendeve, të cilët presin në radhë.

Problemi apo vështirësitë që kemi tash, është me mërgatat tona, të cilët vijnë, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, për pushimet e tyre. Ne kemi vullnetin më të mirë të mundshëm që mërgatave tona, t’iu shërbejmë shpejt, me efikasitet dhe po mendojmë disa variante se si të tejkalohen këto vështirësi.

Biseduam edhe me ekipet tona, zgjidhje ka. Patjetër që ka një vullnet të jashtëzakonshëm politik dhe unë besoj se shumë shpejt do të vërehen ndryshime të rrënjësishme.

Pyetje: Variante pas gushtit, pasi të mbarojë sezoni, se vera iku?!

Ministri Sveçla: Jo, assesi, ne tashmë, është hera e dytë, për disa ditë që unë jam këtu. Ka tashmë përmirësime, por po flasim për zgjidhje tash, menjëherë.a