22 vjet nga masakra e Lubotenit
Sot janë mbushur 22 vjet nga masakra e Lubotenit, ku forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civilë shqiptarë të këtij fshati të Shkupit.
Ngjarja e tmerrshme kishte ndodhur në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001, kur forcat policore dhe ushtarake maqedonase ndërmorrën një aksion në këtë fshat, ku lanë të vrarë 10 banorë lokal, mes tyre edhe një fëmijë 6-vjeçar Erxhan Aliu, burgosën dhe keqtrajtuan dhjetëra banorë të fshatit, por dogjën edhe 14 shtëpi, përcjell INA.
Në mesin e të vrarëve të tjerë ishin: Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.
Aksioni ishte ndërmarrë me arsyetimin se në fshat ishte e pranishme Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë procesoi rastin e Lubotenit si vepër krime lufte ndaj civilëve, ku u akuzua dhe u dënua pjesëtari i lartë i forcave maqedonase të sigurisë, Johan Tarçullovski me 12 vjet burg, ndërsa u shpallë i lirë ish-ministri i brendshëm Lube Boshkovski.