Mickoski: S’i votojmë ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e reja rrugëdalja e vetme
Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka bërë thirrje të shtunën për zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke thënë se ato janë “rrugëdalja e vetme” e Maqedonisë së Veriut nga kriza e thellë politike.
Ai bëri këto komente vetëm një ditë pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e mbylli debatin për ndryshimet kushtetuese, por pa hedhjen e tyre në votim pasi shumica parlamentare nuk i kishte votat e nevojshme prej dy të tretave.
Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme për procesin e integrimit evropian dhe kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me “propozimin francez” për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë.
“Nuk ka çmim me të cilin do t’i pranonim këto ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar. Për këtë çështje nuk duhet humbur asnjë sekondë. E vetmja rrugëdalje e arsyeshme nga situata tani janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi kreu i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski më 19 gusht në një konferencë për media në Shkup.
Seanca për ndryshimet kushtetuese më 18 gusht nuk zgjati më shumë se tri orë, edhe pse ishte parashikuar që debati të zgjaste dhjetë ditë.
Opozita mori pjesë vetëm në caktimin e rendit të ditës, për të cilin votuan 70 deputetë, që për VMRO DPMNE-në ishte “dëshmi se shumica nuk ka 80 votat e domosdoshme për t’i votuar ndryshimet” prandaj edhe lëshoi mbledhjen.
Qëndrimet e tyre mbi “rëndësinë e miratimin e ndryshimeve kushtetuese” i paraqitën partitë në pushtet, por seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj për aktin e votimit mund të mbahet vetëm nëse shumica e njofton kreun e Kuvendit, Talat Xhaferi, se i ka siguruar votat e nevojshme.
“Autoritetet ngushëllohen dhe bëjnë llogaritë se e kanë lënë të hapur derën për ndryshime kushtetuese duke mos e mbyllur qëllimisht seancën dhe se bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presion. Kjo nuk do të ndodhë. Ne nuk tregojmë triumfalizëm, as gëzim, sepse gjërat janë shumë serioze, dhe Maqedonia është në një situatë shumë të vështirë”, tha Mickoski.
Mbështetësit e VMRO-DPMNE kanë protestuar me pankarta edhe kundër propozimit francez më 14 korrik 2022.
VMRO DPMNE-ja thotë se mbështet ndryshimet vetëm pas marrjen së garancive nga BE-ja se Sofja nuk do të paraqesë kushtëzime tjera. Kjo parti kërkon që ndryshimet të miratohen pas përfundimit të bisedimeve për anëtarësim në BE, apo pasi vendi të jetë anëtarësuar në union.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi ndryshimin e Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të, pasi në vitin 2022 Sofja hoqi veton për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut.
“Hyrja në BE është rruga jonë e vetme. Por, jo me çmimin e vetëmohimit, as me çmimin e një diktati që është kutia e Pandorës për shpifje të identitetit dhe hapjen e derës për shumë kërkesa të tjera”, tha Mickoski.
Lidhja Social Demokrate (LSDM) e kryeministrit Dimitar Kovaçevski reagoi ndaj vlerësimeve të Mickoskit, duke thënë se kreu i VMRO DPMNE-së “edhe njëherë konfirmoi se është kundër BE-së dhe dëshiron të bllokojë të ardhmen evropiane të vendit”.
LSDM-ja tha se në javën në vijim do të vazhdojë me përpjekjet për të siguruar dy të tretat e votave për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Koalicioni pro-evropian i udhëhequr nga LSDM-ja nuk do t’i nënshtrohet sjelljes së tillë të papërgjegjshme dhe joshtetërore të Mickoskit. Nuk do të lejojmë që qytetarët, e ardhmja e tyre, shteti të bllokohet nga DPMNE”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partitë shqiptare i kanë dhënë mbështetjen ndryshimeve kushtetuese, por kanë kërkuar që procesi të përfshijë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë, e cila njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës në Maqedoninë e Veriut.