BotaTop Lajme

Replika të forta gjatë debatit të kandidatëve republikanë, pa pjesëmarrjen e ish-Presidentit Trump

Shpërndaje

Debati dyorësh, i pari i mbajtur nga republikanët në këtë cikël elektoral, pati shkëmbime të nxehta për atë që njëri prej moderatorëve e quajti “elefanti që mungon” – duke iu referuar mungesës së kryesuesit së garës, ish-Presidentit Donald Trump.

Pikërisht në kohën kur mbahej debati, ish-Presidenti Trump u shfaq në një intervistë të transmetuar në internet ku përsëriti pretendimet e tij për manipulim të zgjedhjeve, sulmoi kandidatët rivalë, si dhe lavdëroi turmën e mbledhur më 6 janar 2021, pak përpara sulmit ndaj Kapitolit. Ai tha se nuk po merrte pjesë në debatin presidencial në Miluoki për shkak se në anketime rezulton shumë më përpara se kandidatët e tjerë.

Disa prej kandidatëve, si ish-Nënpresidenti Mike Pence dhe ish-Guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, thanë se zoti Trump është i skualifikuar nga marrja sërish e detyrës së presidentit, për shkak të, siç thanë ata, mosrespektimit të Kushtetutës, si dhe mbi 90 akuzave penale me të cilat përballet tashmë.

Ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, deklaroi se “Trump-i është politikani më i papëlqyer në Amerikë. Nuk mundemi t’i fitojmë kështu zgjedhjet e përgjithshme”.

Sidoqoftë, Vivek Ramaswamy, i futur rishtazi në politikë dhe që po fiton terren në anketime, e përkrahu ish-Presidentin Trump, duke thënë se beson se ai ishte “presidenti më i mirë i shekullit të 21-të”.

Zoti Ramaswamy u dallua nga të tjerët duke shprehur kundërshti për mbështetjen amerikane për Ukrainën, dhe duke thënë se Kina është rrezik më i madh për Shtetet e Bashkuara se Rusia. Disa kandidatë të tjerë, përfshirë Nikki Haley-in, ish-ambasadore amerikane në OKB, shprehën mbështetje të fortë për Ukrainën që po mbrohet nga sulmi i forcave ruse.

Pas debatit, ish-Nënpresidenti Pence u tha gazetarëve se askush nuk duhej të ishte befasuar nga gjallëria e tij në skenën e debatit.

“Unë isha kampioni kryesues i vlerave konservatore në administratën Trump-Pence. Di si të luftoj dhe me kënaqësi e solla këtë frymë luftarake sot këtu”, tha zoti Pence.

Kundërshtari kryesor i zotit Pence gjatë mbrëmjes së debatit, zoti Ramaswamy, tha se i mirëpriti sulmet verbale që ish-nënpresidenti bëri ndaj tij.

“Kur Mike Pence më sulmon për mungesën e eksperiencës, mendoj se kjo më ndihmon, pasi nuk mendoj se njerëzit në këtë vend janë të interesuar të rikthejnë persona që recitojnë sllogane që i kanë mësuar përmendësh në vitin 1980”, tha zoti Ramaswamy.

Republikanët do të mbajnë debatin e tyre të dytë muajin e ardhshëm në Kaliforni. Vetëm njëri prej kandidatëve do të rikthehet në Uiskonsin korrikun e vitit që vjen – për të pranuar emërimin si kandidat i partisë së tij për president./Zeri i Amerikes