“Përmbaruesit dëmtojnë qytetarët 10-15 herë më tepër se borxhi”, aktivistët përkrahin ndryshimet ligjore
Jemi të gatshëm t’u ngritim kallëzime penale të gjithë atyre që nuk respektojnë ligjin. Kështu u shpreh kryetari i PEPR, Samka Ibraimovski para Gjykatës Kushtetuese, ku së bashku me organizatorët e protestës “Stop për përmbaruesit”, dorëzuan argumente për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të ligjit për marrëdhënie detyrimore, gjegjësisht pjesën që ka të bëjë me vjetërsimin e lëndëve.
“Ky ligj jo që nuk është jokushtetues por, sjellja e të njëjtit parandalon sjelljen kokë në vete të përmbaruesve. I dëmtuan qytetarët 10 deri 15 herë më tepër nga ajo që duhet ta paguajë. Për këtë shkak është sjellë dhe ky ligj. Falënderim për deputetët që e votuan këtë ligj. Nuk mundet një ligj që e ka nënshkruar president i shtetit, shtëpia më e madhe ligjvënëse – Kuvendi, ka kaluar të gjitha filtrat e komisionit, sistem politik dhe komisioni ligjvënës, këtu kanë qenë dhe përfaqësues të ministrisë së drejtësisë, e të mos respektohet tani ky ligj. Ky ligj do të ketë sanksione”.
Aktivistja e “Non Pasaran”, Ana Gligorova theksoi se qëllimi i tyre është të mbrojnë ndryshimet ligjore para Gjykatës Kushtetuese, dhe do t’i argumentojnë me analizë komparative. Ajo theksoi se nëse borxhi është 1000 denarë, interesi nuk duhet të jetë më tepër se kjo shumë.
“Interesi ndëshkues që e sjellë banka popullore e Republikës së Maqedonisë, kur llogaritet shuma përfundimtare, nuk guxon të jetë më e madhe se borxhi bazë. Nëse borxhi është 1000 denarë, bashkë me interesin, pjesa e interesit, duhet të jetë 2000 denarë maksimumi, pa harxhimet e avokatëve, harxhimet e përmbaruesve dhe noterëve”.
Shoqatat “Njerëzit mbi përfitimin”, “No Pasaran”, PERP dhe KOSM ishin organizatorë të protestës “Stop për përmbaruesit” para dy ditëve. Në përputhje me ligjin për marrëdhënie detyrimore, në nenin 2 janë paraparë ndryshime ku është përcaktuar se procedura përmbaruese mund të realizohet në afat prej 10 viteve nga dita e ngritjes së kërkesës për përmbarim, e pas këtij afati, me veprim retroaktiv vjetërsohet lënda./TV21