Maqedoni

Drejtori i Inspektoratit Arsimor, Halit Ferati: U zgjidh problemi me nxënësit shqiptarë në gjimnazin e Velesit

Shpërndaje

Drejtori i Inspektoratit Arsimor, Halil Ferati shprehet se është zgjidhur problemi me nxënësit shqiptar në gjimnazin e Velesit duke theksuar se nxënësit me mbi 50 pikë do të ndjekin mësimin në gjimnazin “Koço Racin”, kurse nxënësit nën 50 pikë, mësimin do ta ndjekin në shkollën e mesme ekonomike.

Njoftimi nga dejtori Ferati:
Të dashur qytetarë
Me kënaqësi dua të ju njoftoj, se përfundimisht është zgjidhur problemi me nxënësit shqiptar në Gjimnazin e Velesit.

Pas një procesi tre mujor, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, duke njohur në thelb problematikën si qytetarë i asaj zone, me përkushtim dhe angazhim maksimal, sollëm vendim për themelimin e dy paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, të cilat besojmë se tani e tutje do të jenë funksionale. Nxënësit të cilët kanë mbi 50 pikë mësimin do ta ndjekin në Gjimnazin “Koço Racin”, ndërsa nxënësit nën 50 pikë, mësimin do ta ndjekin në shkollën e mesme ekonomike.

Problemi i paraqitur sot është zgjidhur në rrugë institucionale, ku do të bëhen ndryshimet e nevojshme byrokratike, në konsultime me kryetarin e komunës, drejtorinë e shkollës dhe Ministrinë e Arsimit dhe nxënësit do të vijojnë mësimin në paralelet e caktuara në bazë të konkursit të shpallur nga MASH. Ndërkohë inspektorët e inspektoriatit për arsim, që në orët e mëngjesit ishin në terren për të mbikqyrur gjithë procesin, për të parë gjendjen faktike dhe për të detektuar problemet reale.

Falenderoj të gjitha palët për bashkëpunimin dhe angazhimin në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare. Unë si drejtor i Inspektoratit kam përgjegjësinë më të madhe për tejkalimin dhe zgjidhjen e kësaj problematike pasi jemi edhe mbikqyrës të procesit edukativo-arsimor.

Edhe si subjekt të cilit i takoj, Aleanca për Shqiptarët, që në fillim kemi qenë të angazhuar për zgjidhjen e problemeve me mësimin në gjuhën shqipe në rajonin e Velesit, Çashkës dhe çdo vendbanim tjetër, andaj i gëzohemi çdo epilogu pozitiv dhe suksesi në këtë mision.

Ftoj partitë politike, që të jenë të kujdesshme në tentimet e tyre të ulta për të përfituar politikisht në kurriz të nxënësve shqiptarë dhe duke cënuar edhe mbarë procesin. Në veçanti du të theksoj se më të zhurmshëm sot ishin ata që për 20 vite kanë qenë kordinator dhe përgjegjës për këtë zonë dhe për aq kohë nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim, ndërsa sot luajnë opozitën për dështimet e tyre. Për dallimet tona politike i ftoj publikisht të ballafaqohemi në tribuna politike, ndërsa qytetarët duhet të jenë të qetë sepse për ta kujdesen edhe përfaqësuesit e tyre politik edhe zyrtarët institucional që me vite kanë bashkëjetuar me këto probleme. Do të jemi këtu që me përkushtim, transparencë dhe guxim të zgjidhim çdo problem konform ligjeve dhe të drejtave kushtetuese.