Ambasada e SHBA-ve: Korridori 8 sjell investime të huaja në Maqedoninë e Veriut, forcon marrëdhëniet shtetërore me vendet e rajonit
Përmes ceremonisë së detonimit, prej dje kompania prestigjioze ‘Bechtel – Enka” filloi me ndërtimin e Korridorit 8.
E pranishme në fillimin e punimeve ishte dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski si dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore”, Ejup Rustemi.
Në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-ve në Maqedoni shkruan se projekti Korridori 8 përveç rëndësisë infrastrukturore, do të mundësoj lëvizje më të lirë të njerëzve dhe mallrave, duke e kthyer shtetin në vend që tërheq investime të huaja.
Statusi i plotë:
“Ambasadorja Aggeler mori pjesë në fillimin e ndërtimit të autostradës së Korridorit 8 së bashku me kabinetin Qeveritar të Maqedonisë së Veriut dhe konsorciumin amerikano-turk Bechtel dhe ENKA. Rrugët e mira të transportit, siç është Korridori 8, jo thjesht do të lëvizin njerëzit dhe tregtinë më rrjedhshëm, por gjithashtu do të tërheqin investime në Maqedoninë e Veriut, do të ndihmojnë integrimin rajonal të vendit dhe do të ndërtojnë marrëdhënie më të forta me fqinjët e tij.”