Polonia nuk do ta furnizojë më Ukrainën me armë
Një nga aleatët më të vendosur të Ukrainës, Polonia, ka thënë se nuk po e furnizon me armë fqinjin e saj, pas një mosmarrëveshjeje diplomatike mbi eksportet e drithit të Kievit.
Kryeministri Mateusz Morawiecki tha se fokusi i Polonisë në vend të kësaj, ishte në mbrojtjen e vetes me armë më moderne.
Polonia i ka dërguar tashmë Ukrainës 320 tanke të epokës sovjetike dhe 14 avionë luftarakë MiG-29 dhe ka ende për të ofruar.
Megjithatë, komentet përkojnë me tensionet e larta mes dy fqinjëve.
Të martën, Polonia thirri ambasadorin e Ukrainës lidhur me komentet e bëra nga presidenti Volodymyr Zelensky në Kombet e Bashkuara pasi Polonia, Hungaria dhe Sllovakia vendosën të zgjatin ndalimin e drithit ukrainas, raporton BBC, transmeton KlanKosova.tv.
“Ne nuk po transferojmë më armë në Ukrainë, sepse tani po armatosim Poloninë me armë më moderne”, tha kryeministri i Polonisë.
Eksportet e armëve në Ukrainë nuk do të ndalen plotësisht pasi prodhuesi polak PGZ do të dërgojë rreth 60 armë artilerie Krab në muajt e ardhshëm. Zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller sqaroi më vonë se do të dorëzoheshin vetëm dërgesat e municioneve dhe armatimeve të dakorduara më parë, përfshirë ato nga kontratat e nënshkruara me Ukrainën.