Rama: Serbia po i fryn zjarrit të një konflikti të armatosur. BE-SHBA të ndajnë mendjen sa s’është vonë
Për kryeministrin e Shqipërisë, Serbia po i fryn zjarrit të konfliktit të armatosur me vendimin për të shpallur ditë zie zyrtare për viktimat e grupit të armatosur që vranë efektivin e Policisë së Kosovës.
Rama në një reagim në rrjetet sociale e sheh këtë vendim të qeverisë serbe si sinjalin më negativ që mund të jepte Beogradi zyrtar për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar ndërkohë që sipas tij duhet të kishte bërë krejt të kundërtën duke hapur një hetim serioz për anëtarët e këtij grupi, lidhjet e tyre me trafikun e armëve si dhe etninë që i përkasin.
“Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike! Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”
Për Edi Ramën ngjarja e kësaj fundjave në veriun e Kosovës duhet t’u shërbejë dhe faktorëve ndërkombëtarë se kambanat e alarmit po bien dhe çdo minutë vonesë mund të jetë e rrezikshme.
“Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!”
Por ky është momenti për kryeministrin shqiptar që dhe vetë Kosova të reflektojë dhe të ndajë mendjen në mënyrë të qartë nëse do të vazhdojë e vetme kursin e saj apo në harmoni me komunitetin ndërkombëtar.
“Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian”.
Rama është i bindur dhe e ka shprehur herë pas here qëndrimin se një Konferencë e jashtëzakonshme Paqe nën mbikëqyrjen dhe garancinë e BE e SHBA është domosdoshmëri strategjike për krejt rajonin përpara se një zjarr destabilizues të dalë jashtë kontrollit në këtë pjesë jugperëndimore të Europës.
Tv Klan