RajoniTop Lajme

Kurti: Zotimi i njëanshëm i Thaçit s’po e lejon FSK-në të futet në veri

Shpërndaje

Klan Kosova
Kurti: Zotimi i njëanshëm i Thaçit s’po e lejon FSK-në të futet në veri
nga Hekuran Sokoli 30.09.2023 13:03

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke folur për tensionet me Serbinë, ka thënë se është zotimi i një pararendësi të tij që nuk po e lejon Forcën e Sigurisë së Kosovës të futet në veri të vendit.

Kështu ka thënë ai gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Klan Kosova.

“Në republikën tonë nuk ka vend për terroristë përveçse para drejtësisë. Ne kërkojmë që ata që kanë ikur tinëz malit, e që janë strehuar nga Serbia, të ekstradohen”, ka thënë Kurti.

Tutje, shefi i ekzekutivit ka thënë se për organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Njeriut” tashmë ka prova të mjaftueshme që të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet mike, partnere dhe aleate të Kosovës.

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë në pjesën veriore të republikës është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk e lejon Forcën e Sigurisë së Kosovës të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet”, ka shtuar ai.

“Ky vakum që është atje duhet të mbushet dhe për këtë jemi duke e shtuar bashkëpunimin me partnerët e aleatët ndërkombëtarë e ata praninë e NATO-s dhe KFOR-it atje”, ka thënë kryeministri Kurti.

Më tej, ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist të së dielës të kryer nga grupi kriminal serb në Banjskë të Zveçanit, duke shtuar se nëse Serbia nuk ndëshkohet, ajo do të vazhdojë me sjelljet agresive.