Kovaçevski nga Granada: Zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së, unioni po përgatitet për pranimin e anëtarëve të rinj
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, dha deklaratë për shtyp , në të cilën i fokusua në rëndësinë e këtij Samiti të tretë lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit dhe i theksoi qëndrimet që do t’i transmetojë sot në kuadër të tryezës së rrumbullakët në Samitin, ku do të flasë për tranzicionin digjital dhe inteligjencën artificiale.
Në vazhdim ua përcjellim deklaratën integrale të Kryeministrit Kovaçevski:
“Sot përfaqësoj Maqedoninë e Veriut në këtë takim jashtëzakonisht të rëndësishëm të komunitetit politik evropian. Praktikisht ka përfaqësues të të gjitha vendeve evropiane, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë. Një nga temat kryesore që ka rëndësi më të madhe për ne është zgjerimi i BE-së.Ju e dini se agjenda e BE-së pas një kohe të gjatë është zgjerimi. Normalisht do të diskutojmë tema që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe vendosjen e inteligjencës artificiale, të gjitha me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, dhe ky do të jetë një nga takimet e punës ku do të marr pjesë së bashku me kryeministrat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, një sërë të tjerësh, përfaqësues të Parlamentit Evropian, të Komisionit Evropian.
Gjithashtu është e rëndësishme që nesër do të mbahet një takim jozyrtar i Këshillit Evropian, ku do të diskutohen çështjet që janë të rëndësishme për ne, si për paqen dhe sigurinë në Evropë, për mbështetjen për Ukrainën, por edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Siç njoftoi më shumë se një muaj më parë Kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishel, tashmë ka një debat brenda BE-së në lidhje me përgatitjen e BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj nga njëra anë dhe nga ana tjetër proceset e anëtarësimit që vetë vendet anëtare kanë me Bashkimin Evropian.
Mendoj se jemi në një pozitë të shkëlqyer duke pasur parasysh që bisedimet me BE-në i kemi filluar vitin e kaluar. Nga ana tjetër, BE-ja ka një interes strategjik dhe një proces tashmë të hapur për përshtatjen e tij, i cili është një proces paralel për faktin se do të duhet të funksionojë në të ardhmen me vende që kanë një numër më të madh se ky aktual. Që do të thotë se do të ketë dinamikë në anën e vendeve kandidate për anëtarësim, para së gjithash kam parasysh vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, por edhe dinamikën brenda BE-së në drejtim të përshtatjes së funksionimit të disa vendeve anëtare.
Tashmë është e qartë për të gjithë se Gjermania dhe Franca kanë përgatitur një dokument pune që u referohet atyre ndryshimeve strategjike që duhen bërë. Nuk mund ta komentoj këtë për momentin, sepse është një dokument pune që nuk është finalizuar, prandaj do t’i lë ta komunikojnë ata, megjithëse e kam parë dhe mendoj se ajo që shkruhet në vetë dokumentin e punës është pozitive për vendin tonë dhe vendet e rajonit.
Shpresoj që gjatë takimeve të suksesshme të kem edhe një takim dypalësh me Kryeministrin e Holandës, Kryeministrin e Irlandës dhe zëvendëskryetarin e Komisionit Evropian”.