Zyrtarja e BE-së: T’i hiqen sanksionet Kosovës, t’i vendosen Vuçiqit
Këshilltarja lokale e BE-së, Kati Schneeberger, ka reaguar pas kapjes së një sasie të re të armatimit, municionit dhe pajisjeve tjera ushtarake sot në shtatë lokacione në veri të Kosovës.
Ajo në një postim në rrjetin social X ka thënë se shpreson që të gjithë ta kuptojnë se sa i rrezikshëm është eskaluesi i vërtetë – presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Më shumë armë janë sekuestruar sot në veri, duke dhënë një ide për shkallën e mundshme të sulmit terrorist në Banjska. Rreziku ende nuk ka kaluar. Shpresoj që të gjithë ta kenë kuptuar se sa i rrezikshëm është eskaluesi i vërtetë = Vuçiq/Serbi. Ne nuk kemi nevojë për një vend tjetër terrori dhe lufte pas tmerrit në Ukrainë, Nagorno Karabakh, Izrael. Prandaj, qetësimi ndaj Vuçiqit më në fund duhet të marrë fund.”, ka shkruar ajo.
Schneeberger me këtë rast ka kërkuar që BE-ja të heqë menjëherë sanksionet ndaj Kosovës dhe t’ia vendosë ato Vuçiqit.
“Sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe ndaj Vuçiqit të merren masa aq të dhimbshme për të, saqë ai vjen në vete, ndal përshkallëzimin e tij dhe punon seriozisht për zgjidhjen e konfliktit.”, ka përfunduar Schneeberger.