Maqedoni

Kasami: Nëpër shkolla të intonohet edhe himni shqiptar!

Shpërndaje

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, njëherësh edhe drejtues i Lëvizjes Besa, thotë se nëpër shkollat e Tetovës dhe vendbanimeve tjera me shumicë shqiptare, duhet të intonohet edhe himni shqiptar nëse pranohet kërkesa e VMRO-DPMNE-së që nëpër shkollat e vendit të intonohet himni shtetëror, shkruan gazeta LAJM.

“Kjo është çështje politike, por unë si kryetar komune mund të them se do të respektojmë ligjet dhe kushtetutën, por njëherësh do të duhet të respektojmë edhe diversitetin. Në këtë rast nëse merret një vendim, flas ligjërisht, për t’u intonuar himni i shtetit, sigurisht duke respektuar shumicën e qytetarëve që janë të etnitetit shqiptar do të duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, tha kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.

Fjalimi i plotë:

Të nderuara media!
Sot dua të ndaj me ju dhe me gjithë opinionin, disa informacione të rëndësishme, lidhur me situatën e krijuar në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, edhe atë se a ka dhe nëse ka, ku është përgjegjësia e komunës në këtë rast.
Si kryetar i komunës, kam për detyrë që të siguroj mbarëvajtje të procesit edukativo-arsimor, por edhe arsimim efikas për ardhmërinë tonë, për të cilën unë si kryetar komune, por edhe stafi im, jemi të përkushtuar maksimalisht, për dallim prej disa të tjerëve që për fat të keq, kanë zgjedhur pikërisht arsimin, e në këtë rast gjimnazin, për të bërë politikë ditore, dhe për të bërë akuza dhe shpifje të pabaza, dhe që pastaj të kënaqen me rrenat e tyre, e madje edhe të fillojnë t’ju besojnë atyre.
Fillimisht dua t’ju informoj se Ministria e Arsimit, kohëve të fundit, nuk ka përmbushur detyrimet dhe obligimet e saja dhe nuk ka ofruar mbështetjen e duhur për shkollat e qytetit të Tetovës. E arsyeja dihet, sepse në Tetovë, fitoi një kryetar që nuk i takonte partisë së ministrit të arsimit. Edhe përkundër kësaj neglizhence, nga ana e Ministrisë, ne si komunë, po bëjmë të pamundurën që ky boshllëk të mos vërehet dhe nxënësit tanë të mund të vijojnë një proces kualitativ edukativo-arsimor.
Andaj, ju lus që të mos bini pre e këtyre manipulimeve qaramane si të ministrisë poashtu edhe të drejtoreshës së gjimnazit të Tetovës, e cila më të rëndësishme e ka karrigen e drejtorit, se sa mbarëvajtjen e procesit mësimor në gjimnaz.
E dini të gjithë se nga 19 korriku, komuna e Tetovës, nuk ka më asnjë ingerencë e asnjë obligim ndaj gjimnazit të Tetovës, këtë ditë më parë për mediat e konfirmoi edhe vetë ministri, madje duke e demantuar edhe drejtoreshën e gjimnazit.
Ministri i Arsimit tha se me marrjen e ingerencave për së dyti herë, tashmë është e obligim i Ministrisë që të gjej zgjidhje për shlyerjen e borxhit të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, madje pranoi se nuk janë të aftë ta bëjnë këtë njëherazi por e bëjnë me këste muaj për muaj.
Sikur të ishte faji tek komuna e Tetovës, kjo do kishte ndodhur edhe në shkollat tjera, por kjo nuk po ndodh, kurse procesi mësimor vijon për së mbari. Pra kjo paraqet një dëshmi të fortë se BDI bashkë me ministrin e saj të arsimit dhe drejtoreshën e famshme të gjimnazit, nuk kujdesen fare për mbarvatje të procesit mësimor, por merren me politikë ditore dhe me shpifje ndaj komunës, por si duket kjo nuk po u ec mbarë dhe shumë shpejtë e demantojnë njëri tjetrin.
Komuna e Tetovës këtë periudhë nuk ka lëshuar mjete financiare për gjimnazin, por dihet mirëfilli se përse. Sepse gjimnazi udhëhiqet nga një drejtoreshë ndaj të cilës është ngritur padi penale për keqpërdorime të mjeteve financiare, kjo është evidentuar nga revizioni i brendshëm, i cili konstatoi shkelje të rënda në shfrytëzimin e mjeteve finaciare. Dhe për këtë gjë komuna nuk është e interesuar të lëshoj mjete që të njëtat të vazhdojnë të keqpërdoren.
Sa u përket borxheve të krijuara, jemi të gatshëm t’i japin ndihmë Ministrisë së Arsimit për të gjetur zgjidhjen e duhur në kuadër të ligjit dhe rregulloreve të aplikueshme.
Ju vazhdoni të bëni politikë me fëmijët, ndërsa ne do vazhdojmë të punojmë për një arsim kualitativ dhe cilësor, për gjithë nxënësit. Ne politikën e bëjnë aty ku duhet dhe ku e ka vendin, por assesi nëpër shkolla dhe institucione të tjera arsimore që i katandisët për vite më radhë.
Ju falemnderit!
**********