Bota

Erdoğan për sulmet në Gaza: Mos prisni të qëndrojmë të heshtur derisa po ndodhin mizori para syve tanë

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se sulmet ndaj Gazës tashmë kanë tejkaluar kufijtë e vetëmbrojtjes dhe janë shndërruar në një mizori, masakër dhe barbarizëm të hapur, tha se “Mos prisni të qëndrojmë të heshtur derisa po ndodhin mizori para syve tanë”, raporton Anadolu.

Erdoğan, i bëri këto vlerësime gjatë Këshillit të 8-të të Familjes që u mbajt në Qendrën Kombëtare të Kongresit dhe Kulturës Beştepe në kryeqytetin Ankara.

Lidhur me sulmet e Izraelit ndaj Rripit të bllokuar të Gazës, Erdoğan tha se “Sulmet ndaj Gazës tashmë kanë tejkaluar kufijtë e vetëmbrojtjes, janë shndërruar në një mizori, masakër dhe barbarizëm të hapur”.

“Komisioni Evropian dje ka dal dhe thotë ‘Ende nuk mund të bëjmë thirrje për armëpushim’. Edhe sa njerëz, fëmijë duhet të vdesin?”, theksoi ai, duke shtuar:

“Askush nuk duhet të presë që ne të qëndrojmë të heshtur derisa po ndodhin mizori para syve tanë”.

Erdoğan gjithashtu i bëri thirrje Komisioni Evropian dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Edhe sa fëmijë duhet të vdesin që Komisioni Evropian të bëjë thirrje për armëpushim? Edhe sa tonë bomba duhet të bien në Gaza që të veprojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së?” u shpreh ai.

Ai gjithashtu informoi rreth ndihmave humanitare që vendi i tij ka siguruar për palestinezët. “sasia e materialeve humanitare që dërguam në Egjipt për t’u dorëzuar në Gaza ka shkuar në mbi 200 tonë”, tha Erdoğan.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumë-anshëm, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Mbi 7.900 njerëz janë vrarë në konfliktin e vazhdueshëm, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.