“Politico”: Gjermania propozon që pas konfliktit kontrolli i Gazës t’i kalojë OKB-së
Transmetuesi “Politico” me bazë në SHBA shkroi se Gjermania sugjeron që Kombet e Bashkuara (OKB) të marrin kontrollin e qytetit pas sulmeve izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.
“Politico” ka siguruar një dokument jozyrtar dy faqesh të përgatitur nga Gjermania, në të cilin vlerësohen skenarët për të ardhmen e Gazës. “Ne përkrahim qëllimin e Izraelit: Hamasi nuk duhet të vihet më kurrë në një pozicion për të terrorizuar Izraelin dhe qytetarët e tij”, thuhet në dokument.
Në dokument ku diskutohen skenarë të tillë si ripushtimi i Gazës nga Izraeli, marrja e kontrollit të Gazës nga Palestina ose Egjipti poashtu theksohet se Palestina dhe Egjipti nuk do të donin një përgjegjësi të tillë dhe se prania e Izraelit në Gaza ishte politikisht e padëshirueshme.
Thuhet se marrja e kontrollit të Gazës nga OKB-ja do të nënkuptonte “ndërkombëtarizimin e Gazës nën ombrellën e OKB-së” dhe se mund të kishte një “proces të kujdesshëm tranzicioni” pas kësaj pike.
– Diplomati palestinez: Ky propozim është i papranueshëm
Përfaqësuesi palestinez i Misionit të OKB-së, Abdalrahim Alfarra, në deklaratën e tij për “Politico” tha se ishte “e papranueshme” që OKB-ja të merrte kontrollin e Gazës.
Duke thënë se detyra e OKB-së është të mbrojë kufijtë dhe të punojë për një zgjidhje me dy shtete, Alfarra theksoi se nuk ka pasur asnjë konsultim me administratën palestineze në lidhje me këtë dokument.
Sipas tij, situata aktuale duhet të diskutohet përpara se të flitet për të ardhmen e Gazës. “Ata nuk po flasin se si duhet të mbrojmë tani njerëzit tanë”, tha Alfarra.