MaqedoniTop Lajme

Të hënën do të mbahet takimi i liderëve të partive politike në Maqedoni

Shpërndaje

LSDM njofton se takimi i paralajmëruar në mes liderëve të partive politike, do të mbahet të hënë në ora 12:00.

Pasi kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se takimi do të mbahet në ora 12:00, reaguan nga OBRM-PDUKM duke thënë se Hristijan Mickoski në atë kohë është i zënë dhe duhet të ketë termin të ri. Nga opozita maqedonase thanë se nga mediat e marrë vesh se Kovaçevski ka caktuar takim për të hënën në ora 12:00.

“Një komunikim i tillë përmes mediave për çështje kaq të rëndësishme është zgjedhja e tij. Është sigurisht e pranueshme një takim lidershipi për të hënën, në të cilin presim të diskutojmë përfundimisht për përcaktimin e datës së zgjedhjeve, pranimin e vëzhgimeve të OSBE/ODIHR-it, si dhe ofertën për shfuqizimin e qeverisë teknike, në këmbim të mospasjes së një kryeministri teknik nga BDI”, theksuan nga OBRM-PDUKM.

Ndryshe, kryeministri Dimitar Kovaçevski mbrëmë në konferencën e përbashkët për shtyp me nënkryetarin e KE-së dhe përfaqësues të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri Josep Borel tha se sot do t’u dërgojë ftesë për takim të gjithë kryetarëve të partive politike parlamentare, si dhe kryetarit të Kuvendit.

Si tema të takimit ai theksoi integrimin evropian, zgjedhjet e rregullta presidenciale dhe parlamentare, si dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Pak ditë më parë ai tha se formati i takimit do të jetë i njëjtë me atë të mëparshme që u mbajt në Kuvend.

Është e sigurt se zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 do të mbahen në maj, ndërsa raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale dy javë më parë.