Fidan: ShBA-ja tani ka mbetur vetëm për çështjen e Gazës
ShBA-ja tani ka mbetur vetëm për çështjen e Gazës pasi bllokoi miratimin e një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte armëpushim në Rripin e Gazës, tha ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan.
“Miqtë tanë shprehën edhe një herë se Amerika tani është e vetme për këtë çështje, veçanërisht në votimin e mbajtur sot në Kombet e Bashkuara”, tha dje Fidan për Anadolu dhe transmetuesin kombëtar turk TRT në një intervistë ekskluzive në ShBA.
Fidan ishte në kryeqytetin Washington së bashku me homologë të tij pasi u caktuan nga një samit i përbashkët i jashtëzakonshëm arabo-islam muajin e kaluar për të punuar për një armëpushim në Gaza, e cila ka qenë nën sulmet izraelite për më shumë se dy muaj.
Samiti mandatoi ministrat e jashtëm të Türkiyes, Palestinës, Arabisë Saudite, Indonezisë, Egjiptit, Jordanisë, Katarit dhe Nigerisë që të ndërmarrin veprime ndërkombëtare për të ndaluar luftën në Gaza dhe për të arritur paqen e qëndrueshme.
Komiteti u takua veçmas me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së Antony Blinken, me grupe të mendimit, organizata mediatike dhe politikanë.
Gjatë takimit të tyre me Blinkenin, Fidan tha se grupi, i cili është bërë “pothuajse zëdhënësi dhe interpretuesi” i opinionit publik botëror, shprehu “sinqerisht” tragjedinë në Gaza dhe efektet e saj.
“Sistemi politik amerikan tani është i pafuqishëm për çështjet që lidhen me Izraelin”
Duke folur për veton e ShBA-së ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën, Fidan tha: “Siç u shprehëm në takimet tona sot, sistemi politik amerikan tani është i pafuqishëm për çështjet që lidhen me Izraelin. Prandaj, Izraeli vepron në mënyrë të pamatur për këtë çështje dhe vazhdon shtypjen”.
ShBA-ja vuri veto të premten ndaj rezolutës, e cila u paraqit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe u mbështet nga mbi 90 shtete anëtare. Pati 13 vota pro, kurse Mbretëria e Bashkuar abstenoi.
Duke vënë në dukje se grupi i kontaktit do të vazhdojë punën për Gazën “pa ndërprerje”, Fidan tha se do të vazhdojë të jetë zëdhënësi i ndjenjave të opinionit publik botëror për këtë çështje.
Ai shtoi se grupi i kontaktit do të zhvillojë takime me kryeministrin kanadez Justin Trudeau dhe ministren e jashtme kanadeze Melanie Joly të shtunën.
Pas Kanadasë, ai tha se grupi do të ketë takime në Norvegji javën e ardhshme dhe më vonë në Gjenevë.
Biseda dypalëshe me Blinkenin
Duke folur për takimin e tij dypalësh me Blinkenin, Fidan tha se Türkiye shpreh qëndrimin e saj në lidhje me situatën në Gaza “shumë qartë” përballë ShBA-së.
“Ne ua shprehim shumë qartë seriozitetin e situatës këtu, se nuk ka më tolerancë, dhe qëndrimin tonë se çfarë hapash duhet të ndërmerren në këtë drejtim”, shtoi ai.
Fidan tha se ai diskutoi gjithashtu anëtarësimin e Suedisë në NATO me Blinkenin, duke shtuar: “Sigurisht, qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë”.
Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pasi Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt 2022.
Edhe pse Türkiye miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia të përmbushë angazhimet e saj për të mos u ofruar strehë terroristëve ose mbështetësve të terroristëve dhe të mos lehtësojë veprimet e tyre.
Fidan tha se procesi i normalizimit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë ishte gjithashtu në agjendë gjatë takimit të tij me homologun amerikan.
“Ne, si Türkiye, thamë se mbështesim marrëveshjen e paqes ndërmjet dy vendeve dhe se po bëjmë çmos për ta realizuar atë”, tha Fidan.
Të enjten, Azerbajxhani dhe Armenia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke njoftuar marrëveshjen e tyre për lirimin reciprok të të burgosurve si një hap drejt paqes.
Türkiye beson se një paqe e qëndrueshme në Kaukazin e Jugut mund të arrihet vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje paqeje gjithëpërfshirëse dhe të përhershme midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.