Bota

Izraeli bastis spitalin “Kamal Adwan” në Gaza

Shpërndaje

Forcat izraelite bastisën spitalin “Kamal Adwan” në Rripin e Gazës të cilin prej disa ditësh e ka rrethuar dhe bombarduar, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf Al-Qudra, në një deklaratë tha se forcat izraelite prej disa ditësh kanë rrethuar dhe bombarduar spitalin në Beit Lahia ndërsa sot pas bastisjes kanë mbledhur në rrethinën e spitalit meshkujt, përfshirë personelin shëndetësor.

Al-Qudra tha se janë të shqetësuar nga ndalimi i personave në grup dhe dëmtimi i tyre. Ai i bëri thirrje Kombeve të Bashkuara (OKB), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq të mbrojnë dhe shpëtojnë qytetarët në spital.

“Ushtarët izraelitë kërkuan nga administrata dhe punonjësit shëndetësorë të spitalit që punonjësi i sigurisë së spitalit të dorëzojë armën”, tha Al-Qudra i cili shtoi se në këtë mënyrë Izraeli përpiqet të sajojë një gjënjeshtër dhe të legjitimojë bastisjen e tij ndaj spitalit.

Drejtori i spitalit “Kamal Adwan”, Ahmed al-Khalout dje tha se ushtria izraelite rrethoi spitalin me tanke dhe shënjestroi të gjitha rrugët drejt spitalit.

Ai theksoi se ushtria izraelite e cila shënjestron këdo që hyn dhe del nga spitali, goditi Departamentin e maternitetit dhe të gjinekologjisë në spital dhe se dy gra humbën jetën me fëmijët e tyre në këtë sulm ndërsa një gruaje të plagosur iu amputua këmba.