Të shtëna me armë zjarri në Tetovë, plagosen dy persona
Mediet vendase raportojnë për dy persona të plagosur. Sipas informacioneve paraprake, njëri nga të plagosurit është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike në Shkup.
Raportohet se të plagosurit janë nga fshati Gajre e Tetovës, kurse përleshjes i ka paraprirë një zënkë që ka ndodhur në Gjykatën e Tetovës gjatë ditës.
Ekipet e policisë dhe prokurorisë janë në terren dhe po hetojnë shkaqet e incidentit të armatosur.
Policia me detaje për të shtënat në Tetovë: Dy të plagosur, 5 të tjerë në kërkim
Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka dal me të dhëna konkrete për të shtënat me armë zjarri ku mbetën të plagosur dy persona. Sipas MPB-së edhe 5 persona të tjerë janë në kërkim.
“Sot rreth orës 18:05 në SPB Tetovë është raportuar se para hyrjes në Qendrën Urgjente në Spitalin Klinik të Tetovës janë qëlluar me armë zjarri dy persona nga fshati Gajre i Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime me armë zjarri. Shërbimet e SPB Tetovë dhe prokurori publik janë në vendngjarje dhe po ndërmerren masa për gjetjen e pesë personave të dyshuar në lidhje me rastin. Ndryshe, këtij rasti sot i ka paraprirë edhe një përleshje fizike mes njërit prej të plagosurve dhe njërit prej të dyshuarve për pjesëmarrje në të shtëna me armë zjarri. Rasti është duke u zbardhur”, thonë nga MPB.
Ndërkohë siç raportuam më parë njëri nga dy të plagosurit është dërguar për në Shkup, ngaqë është në gjendje të rëndë shëndetësore.