Hagë, protestuesit thirrje që t’i jepet fund “gjenocidit të Izraelit në Gaza”
Qindra protestues që morën pjesë në seancat gjyqësore për “gjenocid” që Afrika e Jugut ka ngritur kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, bënë thirrje që t’i jepet fund “gjenocidit” të Izraelit i cili vazhdon në Gaza me “mosndëshkim”, raporton Anadolu.
Si pjesë e seancave, shumë protestues folën për Anadolu në lidhje me sulmet joproporcionale që Izraeli kryen në Gaza dhe lidhur me gjykimin për “gjenocid” që vazhdon në Hagë.
Johanna, një nga protestuesit, tha: “Ndodhem këtu sepse kam qenë e detyruar të shoh vrasjen e fëmijëve çdo ditë gjatë 3 muajve dhe po përjetohet një gjenocid me pandëshkueshmëri. Me të vërtetë jam kundër kësaj”.
Duke theksuar se sulmet do të përfundojnë, se kjo do të jetë lindja e një bote të re dhe se punët do të ndryshojnë me të vërtetë, Johanna deklaroi se “Jemi jashtëzakonisht të vendosur që këtë ndryshim ta realizojmë në gjithë botën”.
Ndërkaq, Ariana, një tjetër protestuese, vuri në dukje se është kundër pushtimit në një formë pasioni në Gaza dhe tha se “Në muajt e fundit shohim vrasje, masakra dhe jemi dëshmitar që në Gaza po përjetohen gjëra të tmerrshme të 50-60-70 viteve të fundit”.
Pasi shtoi se bota nuk mund ta durojë më këtë situatë as për një minutë, Ariane tha se i është mirënjohëse Afrikës së Jugut e cila ka ngritur padi për gjenocid kundër Izraelit dhe bëri thirrje që “Izraeli të marrë përsipër përgjegjësinë e veprimeve të tij dhe që të ndalë kryerjen gjenocidit”.
Seanca në Hagë
Dje ka nisur seanca dëgjimore e ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut në GJND me arsyetimin se Izraeli ka shkelur Konventën e Gjenocidit me veprimet e tij në Gaza, përfshirë edhe kërkesat për masa të përkohshme.
Në ditën e parë të seancës, u paraqitën argumentet e Afrikës së Jugut.
Në seancë, avokatët që përfaqësuan palën e Afrikës së Jugut drejtuan akuzën ndaj Izraelit se veprimet e tij në mënyrë të vetëdijshme kundër palestinezëve në Gaza provojnë qëllimin e tij gjenocidal.
Delegacioni i Afrikës së Jugut u kryesua nga ministri i Drejtësisë, Ronald Lamola.
Presidenti i Republikës së Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, në një vlerësim lidhur me gjykimin për të cilin u mbajt seanca e parë, është shprehur: “Ndërsa avokatët tanë mbronin çështjen tonë në Hagë, nuk jam ndier kurrë aq krenar sa sot teksa shoh se Ronald Lamola, djali i kësaj toke, paraqet kauzën tonë në gjykatë”.
Ndërkaq, sot do të bëjë mbrojtjen pala izraelite.
GJND-ja shërben si organi gjyqësor i OKB-së për çështjen e zgjidhjes së problemeve që janë temë e marrëveshjeve të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.