RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut

Shpërndaje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me ambasadorin Wiliam Walker, morën pjesë sot në ceremoninë përkujtimore me rastin e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Në këtë ceremoni të organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule në kompleksin memorial, në Reçak, në nderim të viktimave civile të masakruara nga forcat serbe, më 15 janar të vitit 1999.

“Me 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë patë ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat” u shpreh kryeministri Kurti. Ai gjithashtu shtoi se janë edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe se ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën e ta justifikojë krimin.

Në fund duke falënderuar ambasadorin Walker, kryeministri Kurti theksoi se në një moment vendimtar e historik për popullin tonë ambasadori Walker, foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, atë që Serbia është përpjekur ta deformojë.

“Kur ndodhi masakra e Reçakut, Ambasadori William Walker si udhëheqës i OSBE-së, në Kosovë, erdhi këtu tek fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit. E dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe i shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite Ambasadori William Walker, vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i Informatave të asaj kohe sot është President i Serbisë”.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Prononcimi për media i Kryeministrit Kurti:

Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë kur u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Kur ndodhi masakra e Reçakut, Ambasadori William Walker si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë, erdhi këtu tek fshatarët dhe e foli të vërtetën. Tha kjo është masakër dhe është krim kundër njerëzimit. E dihet që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe i shovinistëve, andaj edhe sot e kësaj dite Ambasadori William Walker, vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe më i urryer në Serbi ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i Informatave të asaj kohe sot është President i Serbisë.

Me 15 janar, në një dimër jashtëzakonisht të ftohtë patë ndodhur ky krim makabër, ndërkaq varrimi i 45 civilëve ka ndodhur vetëm katër javë më vonë sepse ka pasur luftë të madhe për kufomat. I kemi edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë rënë në betejë për mbrojtjen e trupave të masakruar nga Serbia dhe ato katër javë tregojnë që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën, ta justifikojë krimin.

Prandaj, edhe një herë po e theksoj rëndësinë e të vërtetës nga mendja, sytë, veshët dhe goja e ambasadorit William Walker të cilit ne i jemi përjetë falënderues e mirënjohës për shkak se në një moment vendimtar historik për popullin tonë e foli të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit!

Faleminderit ambasador Walker.

Lajmi i plote: Kryeministri Kurti bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut