MaqedoniTop Lajme

Katër ligjet e MSHIA nesër në procedurë parlamentare

Shpërndaje

Katër nga gjashtë ligjet e Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë të cilat kanë të bëjnë me administratën publike, mediat dhe dixhitalizimin do të shqyrtohen në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane ditën e nesërme. Këto ligje kishin shkaktuar revoltë të ministrit Azir Ali i cili ditë më parë tha se për fat keq është bërë praktikë që ligjet të miratohen në Qeveri dhe të mos procedohen nga Kuvendi.

Tani nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk u përgjigjën në pyetjet nëse është arritur marrëveshje politike për miratimin e ligjeve dhe çfarë nëse ato nuk miratohen.

Ligjet janë proceduar me flamur të Bashkimit Evropian, sepse sipas ministrit Aliu, janë drejtpërdrejtë të lidhura me direktivat e BE-së për reforma në administratë, dixhitalizim dhe media. Bëhet fjalë për Ligjin për të punësuarit në sektorin publik, Ligjin për nëpunës administrativ dhe Ligjin për formim profesional me të cilat ministri tha se përmirësohet sektori publik dhe mundësohen trajnime dhe ngritje profesionale të nëpunësve. Në rend dite nesër është edhe ligji për transformim dixhital i cili parashikon formimin e një agjencie për sigurinë e rrjeteve dhe transformimin dixhital.

Në të njëjtën seancë, nuk gjendet ligji për shërbime elektronike i cili parashikon mundësinë për “një pikë për shërbime” në hapësirat e postave të vendit por as ligji për mediat i cili është në procedurë prej muajsh. Aziri të gjitha ligjet i konsideroi të rëndësishme.

Ministri për të cilin ishte përfolur edhe dorëheqja e mundshme si pasojë e revoltës rreth ligjeve, ditë më parë tha se do të dorëhiqej vetëm nëse emri i tij do të ishte pengesë direkte për miratimin e tyre. Në të kundërt, Aliu kishte deklaruar se qëndron pas ligjeve, deri në miratimin e tyre.