U filmua duke thithur drogë, shkarkohet nënkryetarja e Leposaviqit Dragana Miletiq (Dokumenti)
Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi shkarkon nga detyra nënkryetaren e komunës, Dragana Miletiq. Dyshohet se shkarkimi i nënkryetares ka ardhur pas dyshimit se ka poseduar substanca narkotike.
“Shkarkimi nga detyra e nënkryetares sipas nenit 1 të këtij vendimi, bëhet për shkak të shkeljeve të rënda të punës dhe mosrespektimit të pozitës së saj si nënkryetare dhe mos përmbushjes së detyrave të punës”, thuhet në vendim e nënshkruar nga kryetari Hetemi.
Shkarkimi i saj erdhi, pas publikimit në media të pamjeve ku ajo shihet duhet konsumuar substanca narkotike.
Për rastin ka reaguar Prokuroria Themelore e cila ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e rastit të nënkryetares së Leposaviqit, Dragana Miletiq, që dyshohet se ka konsumuar drogë.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Skandal/ Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit dhe stafi shfaqen duke pirë kokainë
Pamje skandaloze vijnë nga komuna e Leposaviqit, ku nënkryetarja bashkë me stafin shfaqen duke pirë kokainë.
“Nacionale” ka publikuar disa pamje të turpshme, ku nënkryetarja serbe Dragana Miletiq e njohur me nofkën “Beba”, shfaqet duke pirë kokainë brenda zyrave.
Njëra prej videove është realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit. E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punonjës.
Miletiq shërben më objektin e komunës bashkë me një staf që është i përbërë nga serbë dhe shqiptarë dhe që udhëhiqet nga Lulzim Hetemi, i cili është edhe kryetari i kësaj komune.
Hetemi është ndër ata politikanë që prej disa muajsh qëndroi i ngujuar në zyra, pas përplasjeve dhe tensioneve që pati në veri të Kosovës. Madje vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e quajti Hetemin si “shembullor për Kosovën dhe rendin e ligjin e saj”.
“Kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për çdo ditë i merr mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve që ky të dalë prej zyres së tij. Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo më të mirë, e disa të dyja këto njërën pas tjetrës. Lulzim Hetemi është vëllau i dëshmores Fatime Hetemi (që ra heroikisht si ushtare e UÇK-së bashkë me Fehmi e Xhevë Lladrovcin më 22 shtator 1998
E falënderoj Kryetarin Lulzim nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës dhe rend e ligj”, shkuante Kurti atë kohë.