Rajoni

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, takon homologin e tij të Kosovës, Ejup Maqedonci

Shpërndaje

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, sot ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes të Republikës Federale të Gjermanisë, Boris Pistorius, të shoqëruar nga deputetët të Bundestagut dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Ceremonia zyrtare e pritjes, e shoqëruar me togun ceremonial të FSK-së, u zhvillua në objektin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku dy ministrat e mbrojtjes dhe delegacionet mbajtën takimin bilateral. Gjithashtu, të pranishëm në këtë takim ishin zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneralbrigade Ralf Hammerstein, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Më pas, të dy ministrat e mbrojtjes mbajtën takim me deputetët të Bundestagut dhe deputetët e Republikës së Kosovës nga Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, me ç’rast diskutuan për tema aktuale të sigurisë në vend dhe rajon.

Pas përfundimit të takimeve të planifikuara në Ministri të Mbrojtjes, ministri Maqedonci dhe homologu i tij gjerman vizituan njësitë e Gardës Kombëtare të FSK-së, konkretisht Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit në Kërkim-Shpëtim, në Pomozatin, ku u pritën nga komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, gjeneral brigade Naim Haziri dhe drejtori i QNTKSH-së, John Doone, i cili e njoftoi me historikun, misionin, strukturën organizative, fushëveprimin, të arriturat e deritashme, personelin, pajisjet, infrastrukturën, ambientet trajnuese, aktivitetet aktuale, sfidat dhe projektet për të ardhmen.

Në fjalën e tij drejtuar stafit të Gardës Kombëtare të FSK-së dhe të pranishmëve tjerë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius shprehu falënderimin për pritjen dhe theksoi se është i befasuar për të mirë me zhvillimet mbresëlënëse brenda FSK-së, e posaçërisht me kapacitetet që ka QNTKSH. Ai më tej theksoi se intervenimi i FSK-së me rastin e tërmetit në Turqi i ka arsyetuar donacionet dhe trajnimet e deritashme që qeveria gjermane ka investuar në FSK dhe se do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e mëtejme.

“Është mbresëlënëse të shohësh një madhësi dhe kapacitet të madh të QNTKSH, që nuk kam parë kurrë një vend të tillë më parë. Ju keni demonstruar përvojën tuaj në këtë fushë. Pranverën e kaluar pas tërmetit në Turqi, përgjigja juaj humanitare ishte shembull për shumë organizata të tjera në mbarë botën”, tha ministri Pistorius.

Ndërsa, ministri Maqedonci e falënderoi ministrin Pistorius dhe mbështetjen e deritashme për vendin tonë duke theksuar se Gjermania së bashku me aleatët tjerë në vazhdimësi kanë luajtur një rol të veçantë në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe po vazhdon të luajë një rol të veçantë në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë, me fokus të Gardës Kombëtare të FSK-së.
“Gjermania qysh nga kohët e pasluftës ka qenë mbështetësi kryesor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ka luajtur rol kyç po ashtu në aspektin e stabilitetit të sigurisë, si në pjesëmarrje të trupave të KFOR-it, gjithashtu duke qenë aktiv dhe prezent në zhvillimet e FSK-së”, tha ministri Maqedonci, duke shtuar se donacionet e gjermane janë vënë në përdorim për të mirën e qytetarëve të vendit, për sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit.