Bota

Borrell përsërit paralajmërimin e tij lidhur me sulmin e Izraelit ndaj qytetit Rafah

Shpërndaje

Përfaqësuesi i Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell paralajmëroi se sulmi i Izraelit ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar civilët në jug të Gazës “do të shkaktojë katastrofë humanitare të papërshkrueshme”, transmeton Anadolu.

“Përsëris paralajmërimin e shumë vendeve anëtare të BE-së, se sulmi i Izraelit ndaj Rafah do të shkaktojë katastrofë humanitare të papërshkrueshme dhe tensione serioze me Egjiptin”, deklaroi Borrell përmes një deklarate nga llogaria e tij X.

Ai theksoi se rifillimi i negociatave është rruga e vetme për të penguar gjakderdhjen. Gjithashtu edhe dje Borrell paralajmëroi se sulmi i Izraelit ndaj qytetit Rafah ku janë strehuar civilët në jug të Gazës “do të shkaktojnë pasoja katastrofike”.

– Situata e fundit në Gaza

Izraeli refuzoi propozimin e Hamasit për armëpushim dhe shkëmbimin reciprok të pengjeve me 3 faza ku secila do të zgjaste 45 ditë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka udhëzuar ushtrinë dhe shërbimet e sigurisë për përgatitjen e panit të nevojshëm për të sulmuar pjesën jugore të Rripit të Gazës dhe për të zhvendosur palestinezët që janë strehuar atje.

Në sulmet që Izraeli ka kryer ndaj Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, përfshirë të paktën 12 mijë fëmijë dhe 8.190 gra janë vrarë 28.064 palestinezë si dhe janë plagosur 67.611 të tjerë. Nën rrënoja ende ndodhen mijëra palestinezë të vrarë ndërsa po shkatërrohet edhe infrastruktura civile duke shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore në të cilët është strehuar popullata.