RajoniTop Lajme

Kurti: Urgjent nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë, ata e lënë hapur opsionin për ta pushtuar Kosovën

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një panel diskutimi të organizuar nga instituti “Chatham House” në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Aty u fol për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Kurti fillimisht foli për progresin dhe arritjet e deritashme që tha se i ka arritur Qeveria e Kosovës, ku ndër tjerash tha edhe se “përgjegjësia e qeverisë dhe nxitja për mirëqenie sociale e kanë bërë të realizueshme integrimin e komunitetit serb”. Ai e përmendi edhe çështjen e targave e pajisjen e serbëve me pasaporta të Kosovës.

Më pas theksoi se Kosova e ndjen rregullisht kërcënimin nga Serbia. Ai tha se po rritet prezenca e Rusisë në Ballkan nëpërmjet Serbisë, dhe në këtë kontekst, tha se më urgjente se kurrë është nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë. Me refuzimin për ta bërë këtë, ai tha se Serbia e lë të hapur opsionin për ta pushtuar Kosovën.

“Një vend nuk mund t’i mbajë të gjithë prapa. Sipas meje, Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, tha Kurti. “Serbia e njeh de jure Bosnjë e Hercegovinën, por jo de facto, po ashtu edhe Malin e Zi. Në rastin e Kosovës e kundërta është e vërtetë. Ata na njohin në masë të madhe de facto, por jo de jure”.

“Ekziston një tezë e përgjithshme se Serbia po mban marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, për ta përdorur atë në agresivitetin e saj ndaj Kosovës. Por unë do të pretendoja se e kundërta nuk është vetëm më interesante, por edhe më e dobishme për ta kuptuar gjendjen aktuale të punëve. Gjegjësisht, Serbia e përdor, e shfrytëzon agresivitetin e saj ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, duhet ta provosh veten herë pas here. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën presidenti Vuçiq. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Kremlinin”, tha Kurti.

Kryeministri tha se kërcënimet “nuk vijnë nga njerëzit, por nga lart”.

“Demokracia vjen nga poshtë, por kërcënimet nuk vijnë nga poshtë. Kërcënimet vijnë nga lart. Janë këta liderë jo demokratikë, autokratikë që përdorin struktura si Wagner-wanna-be që e kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe paqen”.

Kurti tha se “aleanca e fortë e Serbisë me Rusinë nuk është një kërcënim teorik për Europën dhe Ballkanin, i cili është pjesë e Europës dhe duhet të bëhet pjesë e BE-së”. “Është një kërcënim real dhe që Kosova, por jo vetëm, e përjeton rregullisht”, tha ai. “Dhe përmes Serbisë, ne kemi parë një rritje të pranisë ruse në Ballkan, qoftë përmes mediave, inteligjencës apo formave të tjera të ndërhyrjes”.

“Në dritën e kësaj, një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë. Mosnënshkrimi i marrëveshjes që kemi është një shenjë e qartë e keqbesimit. Pra, ne kemi nevojë për besim në mënyrë që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj që kemi rënë dakord deri më tani. Dhe kjo do të thotë gjithashtu kur ata refuzojnë nënshkrimin e marrëveshjes, se duan ta mbajnë të hapur një opsion për ta pushtuar Kosovën. Pra, unë nuk mund të shoh ndonjë kuptim tjetër thelbësor për refuzimin e nënshkrimit, atëherë ata duan ta mbajnë këtë derë hapur se do të ketë një dritare mundësie për t’u kthyer dhe për të bërë përsëri agresion”, tha ai.

Kurti tha se “siguria e Kosovës dhe mbështetja për të është themeli mbi të cilin vendi ynë mund të vazhdojë të rritet”.

“Dhe sigurisht, Serbia, ose ndonjë aleat i mundshëm i Rusisë, nuk mund ta mbajë rajonin larg BE-së, sepse thjesht do t’i shërbente Rusisë në përpjekjen e saj për ta ndarë përsëri kontinentin. Pra, tani është koha që BE-ja ta shpërblejë me shumë kujdes dhe qëllimisht reformën demokratike. Sepse kjo është mënyra e vetme që do ta zbatojë atë në rajon”, tha ai.

Kryeministri Kurti mori pjesë në panelin e diskutimit të organizuar nga instituti ‘’Chatham House’’