Raportuesja e OKB-së thirrje për “embargo të armëve ndaj Izraelit” për shkak të sulmeve në Gaza
Raportuesja speciale e OKB-së për mbrojtësit e të drejtave të njeriut, Mary Lawlor tha se duhet të zbatohet “embargo e armëve” ndaj Izraelit për shkak të sulmeve të tij në Gaza.
Përmes lidhjes së internetit, Lawlor në një prononcim për Anadolu (AA) foli lidhur me situatën e fundit në Gaza, shkeljet e të drejtave dhe hapat që duhet të ndërmarrin shtetet për të ndalur sulmet e Izraelit. Pasi u shpreh se po ndjek nga afër ngjarjet në Gaza që nga 7 tetori 2023 e deri më tani, Lawlor dënoi sulmet e kryera nga Hamasi.
Ajo tha se në Gaza ka një popull të rraskapitur, të bllokuar dhe të pashpresë.
“Është e tmerrshme që banorëve të Gazës u kanë thënë shumë herë të ndryshojnë vend dhe të shkojnë në një vend të sigurt. Kjo përfundoi në qytetin Rafah. Tani njerëzve u thuhet të shkojnë në vend tjetër dhe nuk ka asnjë vend ku ata të shkojnë. Ata jetojnë në kushtet më të tmerrshme. Nuk kanë ushqime të mjaftueshme dhe ilaçet që kanë nevojë. Aktualisht gjysma e popullsisë së Gazës ndodhet në Rafah. Si mund të jetë e drejtë kjo? Pavarësisht pozicionit tuaj, se nga vini apo të interesave tuaja politike dhe strategjike, si mund ta konsideroni të drejtë vrasjen e grave dhe nënave të kaq shumë fëmijëve të vegjël?”, tha Lawlor.
“Ka nevojë për sigurimin e armëpushimit pas zhvillimeve të përjetuara në Rafah”, theksoi Lawlor duke shtuar se duhet të lejohet hyrja e ndihmave humanitare në Gaza.
“Duhet të ketë embargo të armëve (kundër Izraelit). Çdo shtet që nxit këtë konflikt duke siguruar armë për Izraelin, duhet ta ndalë këtë. Sepse aktualisht Izraeli nuk po vepron aspak logjikisht. (Në Gaza) Izraeli teknikisht është një fuqi pushtuese dhe nuk duhet t’i shpallë luftë një territori të pushtuar, por po e bën këtë”, deklaroi Lawlor.
Ajo potencon se bota është e vetëdijshme për atë që po ndodh në Gaza dhe se shtetet nuk munden ose nuk duan ta ndalojnë këtë.
Pasi nënvizoi se Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), është institucioni i vetëm që ofron shërbim për qytetarët e Gazës, për shkollat dhe spitalet atje, Lawlor tha se “Marrja ose ndalimi i financimit të UNRWA-së është ‘çmenduri’. Hetimi lidhur me pretendimet kundër UNRWA-së vazhdon. Nuk duhet të lejohet që kaq shumë njerëz të pa shpresë të bëhen viktima të trazirave politike mes shteteve”.
Lawlor tërhoqi vëmendjen se vendimi lidhur me gjenocidin jepet nga gjykatat dhe ekspertët, se këto përcaktohen sipas veprimeve, krimeve të luftës dhe qëllimit për gjenocid dhe se situata në Gaza aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND). Duke vënë në dukje se gjykata do të japë vendimin lidhur me situatën në Gaza, Lawlor tha se “(Vendimi) Pavarësisht nëse ka apo jo gjenocid, në Gaza ka rrezik për gjenocid”.
Raportuesja e OKB-së thotë se vendet kanë përgjegjësi të madhe për ndalimin e sulmeve të Izraelit ndaj Gazës. “Vendet si SHBA, vendet e BE-së dhe Britania që kanë ndikim mbi Izraelin, kanë rol shumë të rëndësishëm. Është e papranueshme që vendet abstenojnë ose vënë veto ndaj vendimeve (për çështjen e Gazës) në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për mua kjo është e pafalshme”, tha Lawlor.