Rama: Hapet kantieri i Fakultetit të Studimeve Profesionale në Durrës, do ketë 45 auditorë e 15 laboratorë
Studentët e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës do të kenë një ndërtesë të re.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, e cila ndau pamje nga nisja e punimeve si dhe nga projekti i godinës së këtij fakulteti.
Rama tha se është hapur kantieri për ndërtimin e Fakultetit të Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Mosiu” në Durrës, ku po investohet për ngritjen e një hapësire me 45 auditorë, 15 laboratorë, salla konferencash, terrene sportive dhe ambiente për 1700 studentë dhe 80 pedagogë e staf akademik.
Ministria e Arsimit dhe Sportit me buxhetin e këtij viti do të investojë 1.5 miliardë lekë për përmirësimin e infrastrukturës akademike, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor në arsimin e lartë.
Fakulteti i Studimeve Profesionale në Universitetin “Aleksandër Mosiu” synon krijimin e një sistemi modern dhe cilësor të arsimit profesional në vend. Një sistem i tillë kontribuon në krijimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive profesionale dhe qytetarisë së të rinjve, nëpërmjet ofrimit të kualifikimeve profesionale, jo vetëm në përputhje me kërkesat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, por dhe më gjerë.