Kurti: Rezistenca e Jasharëve të Prekazit është unike në vetvete
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në kuadër të programit të manifestimit shtetëror për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbajti sot seancë solemne.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në seancën solemne të Kuvendit për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës:
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, z.Glauk Konjufca,
I nderuari baca Rifat Jashari,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministre e ministra të Qeverisë,
I nderuari President Fatmir Sejdiu,
Shkelqësi ambasadorë, diplomatë e miq ndërkombëtarë,
Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës çlirimtare,
Të nderuar prijës fetar, udhëheqës e përfaqësues të institucioneve,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Ja ku sërish vjen marsi dhe ne mbledhemi për t’i kujtuar ditët e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, si data të tre ditëve kur populli i Kosovës bëri një kapërcim të madh në rrugën e tij të gjatë për liri. Çdo vit më 5 apo 6 mars, si për asnjë tjetër rast dhe si për asnjë tjetër figurë, Kuvendi i Kosovës mbledhet në seancë të veçantë për ta kujtuar betejën e rezistencën e flijimin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Kjo tashmë është një praktikë zyrtare institucionale e konsoliduar dhe e vazhdueshme.
Shumë ngjarje me rëndësi historike, pasohen nga tradita të themeluara për kujtim dhe nderim të tyre, por vetëm ato që kanë përmbajtje të vërtetë burimore dhe potencial shpërthyes, arrijnë të kthehen në tradita të mirëfillta kombëtare ndër breza. Në rastin e qëndresës së Jasharëve të Prekazit, kjo provë është kaluar suksesshëm qysh para 25 vitesh, kur në njëvjetorin e kësaj qëndrese, më 6 mars të vitit 1999, Trupa Artistike “Hamëz Jashari” e UÇK-së, e ideoi shënimin e parë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu, manifestimi që ka nisur qysh në mars të vitit 1999, nën zjarrin e luftës, në njëvjetorin e luftimeve në Prekaz dhe ku e mori emrin Epopeja e UÇK-së, ndër vite ka zënë vend brenda institucioneve të Republikës së Kosovës, deri sot kur po e shënojmë 26-vjetorin e saj.
Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur së Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe të gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit, përmbledhin një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare, nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar edhe vet shteti i saj.
Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore, pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit, nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet dhe po forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe e aktivizmit të kulluar politik, sidomos që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, që i ka karakterizuar shqiptarët dhe veçanërisht Kosovën. Sepse vërtetë rezistenca e Jasharëve të Prekazit është unike në vetvete, por ajo nuk është pa referenca në historinë e shqiptarëve, siç nuk është e pa trasueshme edhe më tutje, madje edhe sot.
Rezistenca e Adem Jasharit dhe e UÇK-së, është produkt i natyrshëm i po asaj kulture të kryengritjes dhe luftëtarëve vullnetarë që luftuan për mbrojtjen e trevave shqiptare nën organizimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Është rezistencë e po asaj kulture që solli organizimin e kryengritjeve kundër sundimit të Perandorisë Osmane dhe të agresionit të Serbisë të prira nga Hasan Prishtina më 1910, 1911 dhe 1912. Ajo është e njëjta kulturë që e ngjizi dhe e kultivoi lëvizjen e Azem Bejtës dhe të Shaban Polluzhës në gjysmën e parë të shekullit XX. E njëjta kulturë dhe traditë, që në vitet më të egra të pushtimit të Kosovës nga Serbia, kur organizimet masive ishin të pamundura, rilindi e u shfaq shumë herë mes individësh sikur edhe te vet mësuesi Shaban Jashari, që familjen e tij të madhe e ktheu në një projekt të madh kombëtar për shqiptarët dhe për çlirimin.
Në një kohë kur dukej që ishte e pamundur të shkëputeshe nga kthetrat e regjimit kriminal të Serbisë dhe kur besohej se kishte përfunduar epoka e shtetformimeve në Evropë, këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe e shokëve të tij luftëtarë për ta çliruar Kosovën, krijoi kushtet e mundësisë për çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë së saj më pas. Sot në Republikën e Kosovës, liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari, është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne.
Vjet e shënuam 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kurse sivjet do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, duke i përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjet, masakrat dhe spastrimin etnik të kryer nga Serbia e udhëhequr nga një regjim gjenocidal mbi shqiptarët në Kosovë dhe me ndihmën e aleatëve që u çliruam bashkërisht 25 vjet më parë. E në këtë histori të çlirimit dhe të shtendërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij, ka një hise shumë të madhe, që në të vërtetë është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe të kombit të tij. Ajo është hisja e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e përbashkoi me lirinë e popullit të tij, gjatë gjithë jetës, deri në vdekje, deri në rënien heroike. Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj, nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën ne mund t’i referohemi lirisë sonë!
Lavdi dhe mirënjohje e thellë e pafund Adem Jasharit, familjes Jashari, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!
Ju faleminderit!