RajoniTop Lajme

26-vjetori i Epopesë së UÇK-së, Kurti: Me këngën “Mora fjalë” ne themi “çohu Adem”

Shpërndaje

Epopeja e UÇK-së shënon ngjarjen më të rëndësishme historike të shekullit të 20-të, fundin e regjimit të Serbisë dhe si e tillë është beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve që ua ktheu dinjitetin atyre dhe është beteja që frymëzon çdo ditë çdo shqiptar.

Kështu u tha sot në një akademi përkujtimore në 26-vjetorin e epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe komandantit legjendar Adem Jashari në Prishtinë.

Për t’iu përkulur veprës madhështore të komandantit të UÇK-së Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në fushat e nderit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtjeje.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Epopeja e lavdishme e UÇK-së dhe sakrifica për atdhe e familjes Jashari është e papërsëritshme, teksa ka përmendur edhe tekstin e këngës së njohur “Mora fjalë” kushtuar kësaj epopeje të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

“Mora fjalë, mora vargun, mora qarkun me thur këngë. Çfarë po bëjmë ne, kështu nis kënga dhe më pastaj ky është edhe refreni, më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka, ne themi ‘çohu Adem’…”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se të gjithë duhet ta ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë e lavdishme të Epopesë së UÇK-së dhe se përmes projektit për restaurimin e Kompleksit Memorial të Jasharëve në përvjetorët e ardhshëm Prekazi do të shndërrohet në një vend historik e dinjitoz që tregon për rezistencën e Jasharëve.

Një fjalë rasti në këtë akademi përkujtimore mbajti edhe Besarta Jashari nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Akademia përkujtimore kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së ka përfunduar me një koncert artistik.

Ndryshe, 5, 6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore.