Këtë javë pritet që Ali Ahmeti të nënshkruajë marrëveshje për koalicion parazgjedhor
Kjo javë me shumë gjasa mund të vulosë përfundimisht të shumëpërfolurin Front Europian, pasi siç mëson TV21 nga burime të tij, kreu i BDI-së Ali Ahmeti do të mbledhë të gjithë partnerët e koalicionit për të nënshkruar marrëveshjen për të dalë bashkë në zgjedhje.
Nga ato që janë përmendur deri më tani, pjesë e këtij Fronti pritet të jenë BDI e Ahmetit si nismëtare e kësaj ideje, ASh-krahu i Ziadin Selës, PDSh e Menduh Thaçit, PDE e Arianit Hoxhës dhe Lëvizja Populli e Skender Rexhepit – Zejd. TV21 mëson se kreu i integristëve Ahmeti tashmë e ka gati ekipin anti-VLEN me të cilin do të dalë në garën për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Blloku shqiptar është ndarë në dy taborë, ai i partive të lartpërmendura që janë aktualisht në pushtet si dhe ai i partive opozitare që janë bërë bashkë në koalicionin VLEN, i përbërë nga ASh- krahu i Arben Taravarit, Lëvizja Besa e Bilall Kasamit, Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Afrim Gashit, e të cilët kanë mbështetje edhe të Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës.