MaqedoniTop Lajme

Reagimet për zgjerimin e listës së zezë të SHBA-ve, kërkohet që Kuvendi të sjell ligjin për masa restriktive

Shpërndaje

Futja e Katica Janevës dhe Stevço Jakimovskit në listën e zezë të SHBA-ve shkaktoi një sërë reagimesh, posaçërisht te partitë politike. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se ata nuk i kontestojnë vendimet e Departamentit amerikan të shtetit. Edhe pse Ramiz Merko paraprakisht u vendos në listën e zezë, Ahmeti shtoi se ata pranojnë çfarëdo vendimi që vjen nga SHBA-të.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, thotë se vendimet që i sjell SHBA-ja bazohen në informacionet me të cilat disponojnë. Ai përmendi Ligjin për masa restriktive që ende gjendet në Kuvend dhe kërkoi nga Antonio Milloshovski që të mos e bllokojë.

“Bëhet fjalë për vendim që e sjellin institucionet amerikane dhe ato vendime i sjellin në bazë të informacioneve me të cilat disponojnë. Qeveria ka përgatitur Ligj për masat restriktive që është parashtruar deri në Kuvend dhe ju e patë kumtesën e LSDM-së dhe unë mundem vetëm që të konfirmoj se po i bëjmë thirrje deputetit Antonio Milloshovski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE-së të mos e bllokojë ligjin dhe ta lëshojnë në procedurë parlamentare për shkak se është e dukshme se ai nuk ka asnjë arsye që ta bllokojë”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja reaguan që dje menjëherë pas publikimit të listët së zezë të plotësuar, ndërsa me kumtesë të re dolën sot përsëri ku thonë se edhe Katica Janeva edhe Stevço Jakimovski, janë të afërt me LSDM-në dhe BDI-në dhe janë të përshirë në korrupsion të lartë.

“Nuk ka dilema që LSD së bashku me BDI-në janë fabrikë krimi, korrupsioni dhe fabrikë për prodhimin e manipulimeve. Të gjithë kuadrot e këtij koalicioni po përfundojnë në listën e zezë të turpit dhe krimit. Nga ana tjetër u bë simptomatike që për këto njerëz nuk ka procese serioze për shkak se pushteti po ua amniston krimin”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

Përveç Janevës dhe Jakimovskit, së bashku me familjet e tyre, 9 muajt e fundit në listën e zezë të SHBA-ve u vendosën edhe Ramiz Merko, Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Koço Angjushev, Orce Kamçev me nënën e tij Ratka Kamçeva, si dhe Sergej dhe Irina Samsonenko.