Heqja e “balancuesit”, kusht i VMRO-së për partitë shqiptare
“Përgatitja profesionale para përkatësisë etnike gjatë punësimeve” – ky do të jetë kushti i VMRO DPMNE-së për të gjitha partitë politike shqiptare për pjesëmarrje në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, pas 8 majit.
Kryetari i partisë opozitare maqedonase, Hristijan Mickovski, duke prezantuar programin e partisë për zgjedhjet parlamentare, tha se një nga pikat kryesore është shfuqizimi i atij që njihet si Balancues – një mekanizëm ligjor për përfaqësim të drejtë dhe adekuat gjatë shpalljes së konkurseve për punësim në institucionet dhe ndërmarrjet publike në nivel lokal dhe shtetëror.
Nga VMRO-ja vlerësojnë se si pasojë e këtij mekanizmi, institucionet janë “mbushur me kuadro të pakualifikuara”, pasi në vend të arsimimit, për bazë është marrë përkatësia etnike, për të ruajtur balancën etnike në institucionet ku ata janë punësuar.
“Balancuesi” është pjesë e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në vitin 2002 pas konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut.
Ky instrument ka arritur të përmirësojë përfaqësimin e shqiptarëve në organet shtetërore, të cilët deri para aplikimit të tij ishin shumë pak të punësuar në institucione. Mirwpo, opozita thotë se balancuesi ka rezultuar i “dëmshëm” sa i përket kuadrit të kualifikuar.
“Ne kërkojmë që balancuesi të shfuqizohet për një arsye shumë të thjeshtë, duam që njerëzit e kualifikuar, të aftë të mund të punësohen në shtet. Ne kemi rast kur në kompanitë e mëdha shtetërore punësohen njerëz vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike, ndërkohë ata nuk shkojnë as në punë. Kësaj [praktike] duhet t’i jepet fund pasi në kohë kur flasim për reduktim të administratës, ne e mbushim atë me njerëz të pakualifikuar”, thotë nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
Edhe Lidhja Social Demokrate e ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski thekson nevojën e ndryshimit të mënyrës së punësimeve, duke mbështetur kështu propozimin e VMRO DPMNE-së për shfuqizimin e balancuesit.
“Ne, të gjithë së bashku, duhet të gjejmë një zgjidhje, pasi kemi të bëjnë me një mekanizëm që është vendosur bazuar në Marrëveshjen e Ohrit. Tani, po ashtu, duhet që të ulemi për të arritur një marrëveshje, e cila gjatë punësimeve do t’i marrë në konsideratë kuadrot më të kualifikuar, jo vetëm në organet e administratës shtetërore, por në të gjitha institucionet. Vetëm me kuadro cilësorë dhe të kualifikuar ne do të mund t’u ofrojmë qytetarëve shërbime të mira dhe efikase”, thotë Kovaçevski.
Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës dhe të Avokatit të Popullit, shqiptarët në institucionet e nivelit lokal dhe qendror janë të përfshirë me mbi 24 për qind, për dallim nga më parë kur kjo përqindje ishte shumë më e vogël, ndërsa kishte institucione pa asnjë shqiptar të punësuar.
“Balancuesit nuk i kanë vendosur vetëm disa parti politike. Ai është një vendim institucional për të ndjekur zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit”, thotë kryetari i Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke komentuar pozicionin e VMRO DPMNE-së.
Ndërkohë, përveç debatit për cilësinë e kuadrove, mekanizmi i balancuesit ka nxitur polemika edhe për shkak të keqpërdorimeve të tjera.
Viteve të fundit është paraqitur fenomeni i ndryshimit të përkatësisë etnike në konkurse për të zënë një vend pune.
Shumë herë janë denoncuar raste kur maqedonasit janë deklaruar si shqiptar, apo pjesëtarë të bashkësive tjera etnike për të siguruar një vend pune.
Kjo nuk është arritur të parandalohet pasi sipas dispozitave ligjore, nuk ka një mekanizëm ndalues, meqë qytetarët janë të lirë të shprehin përkatësinë e tyre etnike, apo fetare.
Opozita shqiptare për këtë fajëson politikën, ndërsa sa i përket kërkesës së VMRO DPMNE-së, konsideron se së pari duhet të analizohen rezultatet e mekanizmit të balancuesit.
“Politika e ka keqpërdorur balancuesin. Ky mekanizëm ka treguar rezultate, por ka pasur edhe deformimet e veta. Qëllimi i balancuesit ka qenë i mirë që të përmirësohet përfaqësimi etnik i komuniteteve dhe deri diku edhe e ka arritur qëllimin, por sa është arritur përfaqësimi dhe në çfarë niveli është cilësia, është çështje që duhet të analizohet nga institucionet”, thotë Fadil Zendeli, nënkryetar i Lëvizjes BESA.
Ai thotë se edhe sikur të hiqet balancuesi duhet gjetur mekanizëm tjetër për mbikëqyrjen e procesit të përfaqësimit të etniteteve në institucione.
“Nëse e kemi arritur këtë [përfaqësimin] atëherë mund të bisedohet për balancuesin. Ky mund të hiqet, por duhet të ketë një mekanizëm tjetër për të ndjekur punën e përfaqësimit etnik pasi kjo nuk duhet të nënçmohet meqë ka qenë boshti i problemeve në marrëdhëniet ndëretnike, andaj edhe nuk mund të heqim dorë aq lehtë”, thotë Zendeli.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, Maqedonia e Veriut numëron rreth 1.8 milion banorë, prej të cilëve 58.44 për qind janë maqedonas, 24.30 për qind shqiptarë, ndërsa të tjerët pjesëtarë të etniteteve më të vogla. Përfaqësimi i tyre në institucione duhet të reflektojë përqindjen e tyre në shtet./REL